FSHF organizon në dhjetor seleksionime me futbollistët shqiptarë, që jetojnë në Europë, SHBA dhe kudo në botë

Futboll

FSHF organizon në dhjetor seleksionime me futbollistët shqiptarë, që jetojnë në Europë, SHBA dhe kudo në botë

Më: 22 tetor 2024 Në ora: 16:33
Pamje

Në muajin dhjetor 2024 Federata e Futbollit do të organizojë seleksionime me futbollistët e rinj shqiptarë, të cilët jetojnë në Europë, Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe kudo në botë.

Seleksionimet do të zhvillohen në datat 2, 4, 5 dhe 10 dhjetor 2024 në ambientet e “Shtëpisë së Futbollit” për të gjithë lojtarët djem, të vitlindjes 2007-2011.

Djemtë e vitlindjes 2007 do të marrin pjesë në seleksionim më 2 dhjetor, ndërsa djemtë e vitlindjes 2008 më 4 dhjetor. Më 5 dhjetor do të jetë radha e futbollistëve të vitlindjes 2009, ndërsa lojtarët e vitlindjes 2010/2011 do të marrin pjesë në seleksionim më 10 dhjetor.

I gjithë procesi do të drejtohet dhe monitorohet nga Drejtoria Teknike dhe Departamenti i Skautizmit në FSHF. Aplikimet për t’u bërë pjesë e seleksionimeve kanë nisur dhe çdokush që preferon të bëhet pjesë e kësaj eksperience unike mjafton të plotësojë formularin e vendosur në dispozicion nga FSHF brenda datës 27.11.2024 dhe ta dërgojë në adresën e e-mail-it: [email protected].

Ditën e seleksionimit lojtarët do të duhet të kenë me vete certifikatë mjekësore dhe lejen e lëshuar nga klubi ku luajnë.

Kjo nismë, e cila është kthyer tashmë në një traditë nga Federata e Futbollit vjen si rrjedhojë e kërkesave të komunitetit shqiptar në botë dhe ka si qëllim zbulimin e talenteve të rinj në ekipet kombëtare të moshave.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat