Grima: T’i mbështesim vajzat, kemi nevojë për tifozët

Futboll

Grima: T’i mbështesim vajzat, kemi nevojë për tifozët

Më: 22 tetor 2024 Në ora: 19:58
Grima

Kombëtarja shqiptare e Vajzave vijon me përgatitjet në Shkodër për dy sfidat kundër Norvegjisë, të vlefshme për raundin e parë të Play-Off për Euro 2025.

Skuadra është grumbulluar prej të dielës në qytetin verior, teksa siç është bërë me dije, përveç sulmueses Qëndresa Krasniqi, e cila ka pësuar një dëmtim me klubin e Baselit, trajneri Grima kishte sot në stërvitje të gjithë skuadrën.

Në një prononcim për FSHF, tekniku kuqezi theksoi se përballjet me Norvegjinë janë të një niveli të lartë, teksa nuk ngurroi të vlerësonte vajzat kuqezi dhe për punën e bërë gjatë gjithë kësaj kohe dhe për kontributin e dhënë për Shqipërinë.

“Jemi përballë një ndeshje të fortë, me kualitet shumë të lartë. Luajmë me një kundërshtar i fortë për çdo ekip kombëtar në Europë, jo vetëm për ne si Shqipëri. Megjithatë, edhe këtu ku kemi mbërritur, është meritë e këtyre vajzave, jemi këtu falë mundit dhe sakrificës së tyre. Gatishmëria e vajzave që kemi në grup është e pëlqyeshme. Jemi si familje dhe kur rrimë shumë pa u grumbulluar na merr edhe malli për njëri-tjetrin.

Kemi krijuar një grup të mirë për të ardhmen e ekipit kombëtar” – tha tekniku kuqezi, i cili foli edhe për dy emrat e rinj që i bashkohen skuadrës dhe 7 rikthimet kuqezi.Jam i kënaqur me afrimet sepse i kemi kërkuar dhe kemi insistuar. Dua të falënderoj drejtuesit e FSHF-së dhe në veçanti Anila Bashën që është munduar shumë që këto vajza të pajisen në kohë me pasaporta. Jemi të kënaqur që i kemi në gjirin tone.”, nënvizoi Grima.

-Norvegjia është një ekip i vështirë, por sa janë shanset e Shqipërisë për t’ia dalë mbanë në këto sfida?

“Ne do mundohemi që çdo gjë t’ia lëmë fushës dhe jam i bindur që Shqipëria do të japë çdo gjë që ka në fushë.

Do të bëjmë një paraqitje dinjitoze, pavarësisht se kë kemi përballë. Norvegjia është ekip i vështirë për çdo ekip në Europë, jo vetëm për ne. Po ta shohim në letër, ato janë më të avantzhuar.

Por ne jemi  në një pikë që po njohim rritje dhe hyjmë në fushë për të luajtur dhe për të marrë më të mirën. Mesazhi im është që të mbështesim këto vajza, pasi kanë nevojë për tifozerinë shkodrane, për mbështetjen e tyre që ia japin në mënyrë të pakufizuar. Me ndihmën e zotit, t’i kënaqim dhe të dalim kokëlart nga stadiumi.”, tha ndër të tjera nr.1 i Kombëtares së Vajzave.

Trajneri Armir Grima dha një mesazh edhe për të gjithë tifozët shqiptare dhe i ftoi në stadium të mbështesin ekipin e vajzave në këtë moment historik.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat