Trezeguet vihet para zgjedhjes

Futboll

Trezeguet vihet para zgjedhjes

Më: 23 tetor 2024 Në ora: 16:00
Trezeguet

“Të mbështes Juventusin apo River Plate? Është një situatë delikate për mua. Emocionalisht, unë jam tifoz i River Plate, kështu që ndjenjat hyjnë në lojë. Në karrierë, Juventus ka qenë klubi më i rëndësishëm për mua, në nivel personal dhe profesional”.

Kjo është ajo që tha David Trezeguet, ish-lojtar i të dyja skuadrave që kanë siguruar pjesëmarrjen në Kupën e Botës për Klube, që do të zhvillohet në SHBA verën e ardhshme, midis 15 qershorit dhe 13 korrikut.

“Tuttosport” i raportoi fjalët e ish-sulmuesit francez, në periferi të një ndeshjeje të “FIFA Legends”, zhvilluar në Monterrey të Meksikës: “Në Itali më dhanë mundësinë të zbuloja se si është në të vërtetë futbolli në nivele të larta, me objektivin specifik: fitore. Te River Plate munda të jetoja një eksperiencë krejtësisht ndryshe, plot entuziazëm, emocion dhe respekt nga tifozët”.

Trezeguet bëri prognozën e vet për Botërorin e ri të Klubeve: “Do të jetë një ngjarje fantastike, një Botëror për klube, në të cilin skuadrat përfaqësojnë tifozët e tyre në mënyrë ndryshe nga ekipet kombëtare. Flas nga pikëpamja emocionale, sepse ekziston një lidhje më e fortë sentimentale.

Atje do të jenë skuadra shumë interesante dhe nga kontinente të ndryshme. Për më tepër, nga këndvështrimi i futbollit, do të kemi mundësi për të parë një lloj tjetër kompeticioni. Pastaj, diferencën do ta bëjnë lojtarët individualë dhe skuadrat pjesëmarrëse në këtë kompeticion”.

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat