Egnatia - Dinamo, për kreun

Futboll

Egnatia - Dinamo, për kreun

Më: 24 tetor 2024 Në ora: 21:19
Pamje nga një ndeshje

Egnatia dhe Dinamo do të përpiqen t’i rrëmbejnë kreun Partizanit në përballjen e së premtes midis tyre. Kampionët nuk kanë humbur asnjëherë në Superiore me blutë, por në Rrogozhinë kanë vetëm një fitore në katër ndeshje.

Egnatia dhe Dinamo do të ndeshen të premten në orën 14.00 në Rrogozhinë në një ndeshje që mund t’u japë kreun në rast fitoreje të secilës. Të dyja kanë nga 15 pikë, një më pak se Partizani që kryeson renditjen.

Dinamo është kundërshtari i preferuar i kampionëve, pasi me blutë nuk ka asnjë humbje në përballjet në Kategorinë Superiore, si dhe të vetmen fitore me skuadrat pretendente gjatë këtij sezoni, 2-0 në Elbasan Arena, në javën e parë.

Megjithatë, nuk është një arsye për të fjetur mbi dafina e për ta menduar si të fituar takimin para kohe takimin. Në nëntë përballje në kategorinë më të lartë të futbollit shqiptar, Egnatia ka pesë fitore dhe katër barazime, duke shënuar në secilën prej ndeshjeve, dhe dy të fundit i ka mbyllur në favor të saj.

Por, në ndeshjet e luajtura në shtëpi, edhe pse superiore, Egnatia ka vetëm një fitore, 3-0 më 6 tetor të vitit të kaluar, ndërsa tri ndeshjet e tjera janë mbyllur në barazim 1-1.

Takimi i fundit në Rrogozhinë është luajtur më 1 mars të këtij viti dhe është vendosur me golin e Zejnullait për Egnatian dhe të Kaçorrit për Dinamon. Ndërkaq, fitorja e vetme e bluve kundër kundërshtarit të së premtes ka qenë më 4 korrik 2020, 1-0, kur dy skuadrat luanin në Kategorinë e Parë.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat