Interi është në G8 europiane

Futboll

Interi është në G8 europiane

Më: 25 tetor 2024 Në ora: 13:42
Inzaghi

Interi është në G8 e Ligës së Kampionëve dhe ky është fakt. Barazimi me Manchester City, pastaj fitoret ndaj Crvena Zvezda dhe Young Boys, e bëjnë skuadrën zikaltër mjaft të respektuar në tri ndeshjet e para të Champions-it të ri. Ka dhe një fakt tjetër më shumë, që i rrit “valencat” e skuadrës së Inzaghit: tri ndeshje në Europë dhe zero gola të pësuar. Diçka për t’u çmuar vërtet.

Duke marrë parasysh se tri sfidat e ardhshme në këtë kompeticion do të jenë, radhazi, ndaj Arsenalit dhe Leipzigut (në “San Siro”) dhe Bayerit (në Leverkusen), gjithçka mund të ndodhë për kampionët e Italisë.

Prandaj, rëndësia e golit të Thuram në minutën e 93-të, në fushën sintetike të Bernës, është lehtësisht e kuptueshme. Ky sukses në “frymën e fundit” e lehtëson analizën e brendshme, largon zhgënjimin e një barazimi plot keqardhje.

Megjithatë, nëse mendoni pritjet e Sommerit, shtyllën e goditur nga Monteiro dhe të paktën disa gjuajtje të tjera nga zviceranët, kupton se ka shumë për të analizuar. Duke shkuar përtej rezultatit. Ndër shumë gjëra për t’u analizuar te zikaltrit, ka një fakt që duhet ta bëjë Inzaghin të reflektojë. Young Boys goditi 20 herë drejt portës së zikaltërve.

Një rekord për ekipin zviceran, i cili mund të ketë “rilindur” me ndryshimin e trajnerit, por ende mbetet i dhjeti në kampionatin vendës dhe fatkeqësisht i parafundit në renditjen aktuale të Champions League. Megjithatë, për shkak të intensitetit, aplikimit, vrapimit por edhe teknikës në Bernë, për minuta të tëra diferenca mes dy skuadrave dukej se ishte eliminuar.

A mjafton qasja e fushës sintetike për të justifikuar gjithçka? Jo! Mund të llogaritet si faktor pengues për Interin, sigurisht, por nuk mjafton. Po mungesat e zikaltërve? Ato kanë rëndësi, sigurisht. Por, mbetja jashtë e të dëmtuarve (Calhanoglu mbi të gjitha), edhe përmbysja e madhe dhe e kuptueshme e formacionit nuk i justifikon pasimet boshe në pjesën e parë dhe kundërsulmet e rrezikshme të lejuara në pjesën e dytë.

Me pak fjalë, “vijat e dyta” të zikaltërve duhej të avanconin. Sidoqoftë, nuk ishte kështu. U deshën Dimarco, Lautaro, Thuram dhe Bastoni për ta rregulluar mbrëmjen. E mira është se kanë mjaftuar rreth 20 minuta për të mos prishur planin e Inzaghit për një mbrëmje “shëlbimi”.

Gjithsesi mbetet ende, së bashku me shqetësimin për numrin në rritje të lëndimeve, ndjenja shqetësuese e paplotësisë. Rezultati, sikurse u tha, ndihmon reflektimet e qeta dhe të arsyetuara. Dhe në fakt nuk është pak.

Megjithatë, kjo nuk e shfajëson grupin zikaltër nga një mbrëmje e cila, duhet kuptuar qartë, mund të kishte përfunduar papritur ndryshe. Për të qenë të qartë, mund të kishte përfunduar edhe në avantazhin e vendasve. Me pak fjalë, të dielën në “San Siro” ndaj Juventusit, i mundur qartësisht nga Shtutgarti në Champions, do të duhet më shumë.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat