Dani Olmo: Kjo ndeshja më e madhe në Europë, i mundim

Futboll

Dani Olmo: Kjo ndeshja më e madhe në Europë, i mundim

Më: 25 tetor 2024 Në ora: 17:53
Dani Olmo

Barcelona nuk ka pasur shumë kohë të ndalet te fitorja e së mërkurës kundër Bajernit të Mynihut në Ligën e Kampioneve.

Pa u shuar entuziazmi i triumfit me goleadë ndaj bavarezëve, lojtarët e Barcelonës janë kthyer përsëri në fushë pasi në prag është një tjetër sfidë po aq e madhe.

Nesër në mbrëmje ata kanë të fituar në “Bernabeu” në Klasiken e parë të sezonit dhe që mund të thotë shumë për ecurinë e mëtejshme në La Liga.

Katalanasit shpresojnë të ruajnë dinamikën e mirë edhe ndaj rivalit të tyre të përjetshëm dhe Dani Olmo është i bindur se mund të shtojë edhe tri pikë në “El Clasico”.

Ish-lojtari i Lajpcigut ishte lajmi tjetër i rëndësishëm për trajnerin Flik pas suksesit ndaj Bajernit. Olmo u rishfaq të mërkurën pas pesë javësh jashtë fushave për shkak të një dëmtimi që pësoi në “Montilivi (Girona). Dani Olmo po gëzonte një formë të shkëlqyer derisa u dëmtua për tu kthyer ndaj Bajernit ku ai luajti vetëm për një çerek ore.

Tani futbollisti mendon vetëm për “El Clasicon” e tij të parë si “cule” në elitën e futbollit spanjoll.

“Në një ndeshje si kjo nuk ka favoritë. Është ndeshja më e madhe që mund të luhet në La Liga dhe më e madhja në Europë.

Do të jetë një spektakël për të gjithë tifozët dhe dashamirësit e futbollit.

Ne mund t’ia dalim në Madrid, jemi të bindur. Nëse i qëndrojmë besnikë ideve tona, aftësive tona mund t’i mposhtim dhe ne duam vërtet ta tregojmë këtë”, shpjegoi futbollisti katalanas në një intervistë për “TV3”.

Dani Olmo është përballur tri herë me Realin në karrierën e tij si futbollist i Lajpcigut. Në sezonin 2022-2023, ai u përball me Madridin në fazën e grupeve në Champions dhe fitoi 3-2. Vitin e kaluar, ata u takuan sërish në 1/8 e finaleve. Në ndeshjen e parë, në “Red Bull Arena”, ndeshja përfundoi 0- 1 për Realin kurse në “Bernabeu” gjithçka u mbyll 1-1 me Realin që siguroi kualifikimin për më tej.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat