Nuk është ende i sigurt për një fanellë titullari

Futboll

Nuk është ende i sigurt për një fanellë titullari

Më: 27 tetor 2024 Në ora: 11:08
Di Gregorion

Nuk është ende i sigurt për një fanellë titullari, pasi në vendin e tij mund të luajë lehtësisht edhe Matia Perin, i cili sa herë është thirrur në detyrë ka zhvilluar ndeshje të shkëlqyera.Megjithatë, për Mikele Di Gregorion, një lojtar i rritur tek Interi, ndeshja kundër zikaltërve me fanellën e Juves do të jetë një ndeshje speciale.

Portieri i Juves ka dhënë një intervistë për “La Repubblica” ku ka folur pa dorashka.

“Interi ka bërë diçka për mua që unë nuk do ta harroj kurrë. Ata më kanë qëndruar pranë kur humba babain tim në moshën 13-vjeçare. Por a do të rikthehesha? Në të vërtetë nuk e kam pritur kurrë si mundësi. Por nëse do të kishte ndodhur, do të doja të hyja nga dera e përparme”, u shpreh fillimisht gardiani bardhezi.

JUVENTUSI– “Ma ka thënë agjenti im dhe fillimisht i thashë që të ma përsëriste me qetësi. A kisha frikë? Jo, më shumë kisha ndjenjën e krenarisë. Më vinin në sy imazhet e mëparshme kur Juventusi dhe Seria A më duken ende shumë larg. Unë këtu jam ndierë shumë mirë, aq sa kur u ktheva nga grumbullimi i thashë familjes se ky është vendi im. Për ironi të fatit, më është dashur më pak kohë të ambientohesha te Juventusi sesa në vendet e tjera. Kur shoqëroj djalin tim dhe kaloj pranë stadiumit, nuk mendoj asnjë gjë tjetër veçse ndiej lumturi”.

INTERI- “Kam shkuar tek Interi kur ende nuk kisha mbushur 7-vjeç dhe jam larguar kur isha 19-vjeç. Ka qenë një eksperiencë që më ka formuar shumë, sepse përpara se të ishin trajnerë, ata ishin mësues shumë të mirë. Ata kanë bërë diferencën kur më kanë shpjeguar se mbi të gjitha stërvitja është një sakrificë dhe këtë e ndieje kur shikoje shokët e tu, të cilët dilnin mbrëmjeve dhe kalonin bukur. Për mua ka qenë një eksperiencë edukative dhe më ka përgatitur të futem në dhomat e zhveshjes i gatshëm për Serinë C ku nga fëmijët e vegjël, tashmë shokë ekipi kisha 34 dhe 35-vjeçarë, për të cilët mbijetesa ishte domosdoshmëri për të ushqyer familjen”.

I TRADHTUAR- “Jo nuk do të thosha se Interi më tradhtoi. 5 vitet ku kam qëndruar në huazim më kanë ndihmuar që të qëndrojë në këmbë. Sidomos në rastin kur shkova tek Avelino dhe sa vajta aty falimentuan”.

IDHULLI- “Në realitet familja ime ka qenë tifozë me Milanin, ndërsa unë nga ana ime gjithmonë kam preferuar lojtarët më shumë sesa skuadrat. Kaka dhe Abiati, Zaneti dhe Hulio Sezar, Bufon dhe Del Piero. Kam admiruar shumë Handanoviçin, ka qenë një ëndërr të stërvitesha me të dhe të merrja këshilla nga ai. Nuk e kam kuptuar kurrë pse duhet të urresh një njeri, sepse luan me një skuadër tjetër”.

GALIANI- “Në fund unë u shkëputa nga Interi për shkak të një ‘manipulimi’ që arriti të bënte Galiani. Ai ishte i pari që arriti të bindte Interin që të më linte të largohesha në huazim me të drejtë blerjeje sepse kishte besim”, tha ndër të tjera Mikele Di Gregorio..

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat