Shkëndija pret përkrahje nga tifozët në Tetovë

Futboll

Shkëndija pret përkrahje nga tifozët në Tetovë

Më: 27 tetor 2024 Në ora: 12:16
Foto ilustrim

Të dielën nga ora 13:00 në Tetovë presim Strugën në duelin e vlefshëm për xhiron e 11-të në elitën e futbollit maqedonas. 

"Kuqezinjtë kthehen të luajnë si vendas në kampionat pas një muaji, pasi herën e fundit në Tetovë kemi luajtur me Vardarin (fitore 4:0 më 29 shtator në duelin e xhiros së 8-të). 

Ndërkohë prej atij takimi kemi dy barazime dhe bashkë me ndeshjen e Kupës, Shkëndija vazhdon të tregojë një mbrojtje të fortë, pasi nuk ka pranuar gol në katër ndeshjet e fundit zyrtare.

Megjithatë, përmirësimi në fazën sulmuese mbetet prioritet, pasi dy transfertat e fundit janë mbyllur me barazime pa gola (ndaj Sileksit dhe Tikveshit).

Fitorja ndaj Strugës do të ishte një hap i rëndësishëm për t’u rikthyer në rrugën e sukseseve në kampionat, sidomos pas kalimit në çerekfinale të Kupës falë fitores 1:0 ndaj Shkëndijës së Haraçinës.

Struga po kalon një periudhë të ndryshueshme. Javën e shkuar ata u mposhtën në shtëpi nga Sileksi me rezultatin 1:4, por në Kupë arritën një fitore 2:0 ndaj Makedonija Gj.P. Aktualisht, Struga mban pozitën e 5-të me 15 pikë, duke regjistruar 4 fitore, 3 barazime dhe 3 humbje në kampionat.

Valon Ahmedi ka një shqetësim në kofshën e këmbës, do të jetë në kombinim për lojë, mirëpo aktivizimi i tij nga fillimi nuk është i sigurtë.

Shkëndija do të ketë një rikthim të rëndësishëm me Stefan Koçevin, i cili është sërish në dispozicion pas pezullimit prej dy ndeshjesh për kartonin e kuq ndaj Sileksit. Vane Kërstevski dhe Daouda Bamba do të mungojnë për shkak të dëmtimeve.

Shkëndija pret përkrahje nga tifozët në Tetovë për të siguruar tre pikët dhe për të forcuar pozitat në garën për titullin e kampionatit", njofton FC Shkëndija.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat