Yamal: Dua t’i argëtoj tifozët përmes futbollit tim

Futboll

Yamal: Dua t’i argëtoj tifozët përmes futbollit tim

Më: 29 tetor 2024 Në ora: 14:10
Yamal

Nëse nuk e kishit kuptuar tashmë, futbolli ka një brez të ri talentesh, teksa mes tyre spikat Lamine Yamal. Pjesërisht për shkak të parakohshmërisë së tij (17 vjeç), pjesërisht për shkak të aftësisë së tij të lindur për të ndikuar edhe në ndeshje të vështira. Në verë e çoi Spanjën në majën e kontinentit, duke mundur Anglinë në finalen e Europianit të Gjermanisë.

Dhe si të mos mjaftonte kjo, të hënën anësori i djathtë i Barcelonës u nderua me trofeun “Kopa”, si lojtari më i mirë U-21 i vitit 2024. Talenti blaugrana, gjithashtu përfundoi në vendin e tetë në renditjen përfundimtare të “Topit të Artë” për këtë vit kalendarik.

Një çmim personal që e mori me shumë krenari, para një publiku kampionësh e ish-kampionësh, apo trajnerësh e legjendash të futbollit. Yamal, duke u larguar nga “Théâtre du Chatelet” në Paris, foli për “TNT Sports” si vijon: “Është një ëndërr e realizuar pjesëmarrja në këtë gala.

Edhe më e pabesueshme është marrja në shtëpi e këtij trofeu. Teksa luaj futboll përpiqem të argëtohem vetë, së pari, pastaj t’i argëtoj edhe të tjerët. Nëse më njohin në këtë mënyrë, aq më mirë. Besimi im është të jem në një ekip kampion dhe të fitoj gjithçka, t’i lumturoj tifozët”.

Megjithatë, kur mori në duar trofeun “Kopa”, ai donte të përcillte një mesazh: “Jam krenar që e marr këtë çmim. Falenderoj ‘France Football’ për vlerësimin. Dua të falënderoj nënën, babanë dhe gjyshen time, të cilët më kanë mbështetur gjithmonë. Padyshim edhe stafin, lojtarët, kombëtaren. Ky çmim shkon edhe për Luis (De la Fuente), Xavi dhe Hansi (Flick)”.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat