Dëmtimet janë kthyer në një problem të vazhdueshëm për Vllazninë në këtë sezon, duke detyruar trajnerin Brdariç që të ndryshojë ndeshje pas ndeshje rreshtimin e skuadrës së tij.
Mungesa e radhës për ekipin e tij është ajo e Milosh Stojanoviç, qendërmbrojtësit i cili ishte protagonist me golin e shënuar ndaj Partizanit.
Për shkak të një problemi muskulor, lojtari nuk do të jetë gati për sfidën ndaj Tiranës, pasi ka munguar në stërvitje në dy ditët e fundit.
Kësisoj Brdariç duhet të rindërtojë mbrojtjen që ka shfaqur jo pak probleme në këtë sezon, siç e tregon fakti që ka pësuar 12 gola në 10 ndeshjet e luajtura deri tani, Alternativa e parë e Stojanoviç në teori do të ishte Bajrami, por paraqitjet e këtij të fundit kanë qenë larg pritshmërisë që kishte për futbollistin e afruar në verë.
Ndaj nuk është aspak çudi nëse tekniku gjerman gjen ndonjë zgjidhje tjetër duke ndryshuar modul, duke aktivizuar të riun Spahija që po pret mundësinë e vet pas kthimit nga dëmtimi i gjatë, apo spostimin e një mbrojtësi krahu në qendër.