Trajneri spanjoll Mikel Arteta ka folur për shkarkimit të Erik ten Hag nga detyra e menaxherit të Manchester United, duke u shprehur se asnjë trajner futbolli nuk është i paprekshëm. Edhe pse pozicioni i tij tek Arsenal duket i sigurt, Arteta tha se kjo është vetëm sepse ai ka arritur rezultate në fushë.
“Askush nuk është i paprekshëm. Ne jemi këtu për të fituar ndeshjet e futbollit, mos e harroni kurrë këtë”, u shpreh Arteta, që po i afrohet pesë vjetorit të tij në krye të “topçinjve”. “Është një kohë e gjatë këtu dhe në kohet e sotme nuk gjen shpesh trajnerë që qëndrojnë kaq gjatë në një detyrë”, tha spanjolli.
“Unë kam vazhduar ta bëj punën time në mënyrën më të mirë të mundshme. Ndeshjet e futbollit janë gjëja më e rëndësishme dhe unë duhet të fitoj shumë prej tyre për të mbajtur punën time”, foli qartë trajneri Mikel Arteta, që po paraqitet mirë me Arsenal edhe pse trofetë po mungojnë.
Ai shtoi se për të ka rëndësi ndeshja e radhës ndaj Preston në Carabao Cup, ku pritet të aktivizojë mjaft lojtarë që kanë luajtur pak. “Ka lojtarë që nuk kanë luajtur aq shumë.
Ata do të kenë shansin e tyre sot, kjo është e sigurt. Gjithsesi, ata duhet ta fitojnë të drejtën për të luajtur. Kjo vlen për të gjithë”, tha Arteta.