Media suedeze “Aftonbladet” ka siguruar dëshminë e një vajze të re, e cila mori pjesë në dy festat private të organizuara nga Kylian Mbappé gjatë qëndrimit të tij në Stokholm, nga data 9 deri më 11 tetor.
E quajtur “Maja”, për të ruajtur anonimitetin e saj, vajza ka rrëfyer momentet që ka jetuar së bashku me sulmuesin e Real Madridit, objekt i një denoncimi për përdhunim, sipas shtypit suedez.
Mbappé dhe miqtë e tij më të ngushtë, përfshirë Nordi Mukiele, thuhet se shkuan në klubin e natës “V”, që ndodhet në qendër të Stokholmit. Rreth 20 vajza u ftuan të argëtoheshin me grupin francez. Ato duhej t’i dorëzonin telefonat e tyre dhe të shkruanin emrat në një fletë, përpara se të lejoheshin të hynin në lokalin e natës.
“Unë kisha marrë pjesë tashmë në festa të ngjashme, por kurrë nuk më ishte dashur ta dorëzoja telefonin tim. Ishte hera e parë, – siguron “Maja”. – Shumë vajza dukeshin nervoze, sepse aty ishte Mbappe”.
Sipas “Aftonbladet”, pas argëtimit të mbrëmjes së parë, e kishin përsëritur gjithçka pak më qetë, të nesërmen. “Maja”, e pranishme në të dyja mbrëmjet, përshkruan një atmosferë mjaft të zakonshme: “Ishte vërtet një festë normale. Nuk ndodhi asgjë e veçantë, të gjithë takohen dhe bisedojnë. Kamerieret sjellin pije vodka, Red Bull ose tekila. Dikush ngrihet dhe kërcen, të tjerët flasin si në një festë normale”.
Të dyja mbrëmjet vazhduan më pas me ndejat e organizuara në suitën e prenotuar nga Kylian Mbappé në “Hotel Bank”, një grup më i vogël me rreth 10 vajza të ftuara. Suita e kapitenit të Francës kishte një dhomë të madhe ndenjie me një tavolinë, një divan, disa kolltuqe dhe një banjë mysafirësh. Një derë të çonte në dhomën e gjumit të 26-vjeçarit, e cila kishte banjë të veçantë.
Sipas shtypit suedez, ankuesja që akuzoi Mbappé për përdhunim ka shpjeguar se ngjarjet kanë ndodhur në këtë hotel. “Maja” thotë se nuk ka informacion për këtë, por padyshim që e ka ndjekur historinë në shtyp: “Mendoj se shumë prej nesh, vajzave që ishim atje, u ndjemë keq për këtë. Është vërtet e tmerrshme nëse diçka ka ndodhur me të vërtetë”.
E reja, megjithatë, e përshkruan Mbappé si një djalosh të këndshëm dhe të sjellshëm gjatë këtyre mbrëmjeve: “Nuk e njihja Kylian, por ndjenja që krijova për të ishte e një djali gjithmonë shumë i qetë, i përulur dhe i mirë. Ky është këndvështrimi im, nëse akuzat ndaj tij janë të rreme, më vjen shumë keq. Nëse diçka ndodhi vërtet, e konsideroj sjellje të tmerrshme”.
Gjithashtu, sipas “Aftonbladet”, Mbappé kishte qëndruar vetëm me njërën nga vajzat në dhomën e tij, pa menaxherin dhe truprojën. “Maja” shpjegoi se disa të reja pranojnë të kalojnë momente private me yjet e futbollit:
“Unë e kuptoj që njerëzit ngrenë vetullat e tyre, nuk duket shumë bukur kur është një festë me dy djem dhe 20 vajza, por ndoshta shumë e kanë ëndërruar. Ishte thjesht argëtuese të kisha mundësinë për të festuar me Mbappe”.