Mbledhja e UEFA SES në Tiranë, organizatorët e pjesëmarrësit vlerësojnë kontributin e FSHF-së

Futboll

Mbledhja e UEFA SES në Tiranë, organizatorët e pjesëmarrësit vlerësojnë kontributin e FSHF-së

Më: 30 tetor 2024 Në ora: 19:29
Pjesëmarrësit

Mbledhja e rëndësishme e UEFA-s për Qëndrueshmërinë Mjedisore dhe Përgjegjësinë Sociale (SES Community), që u organizua nga Federata e Futbollit në ambientet e stadiumit “Air Albania” përfundoi mesditën e sotme.

Në këtë mbledhje morën pjesë përfaqësues nga 55 federatat anëtare të UEFA-s dhe pas përfundimit të mbledhjes disa prej tyre dhanë një prononcim të shkurtër për fshf.org.

Drejtori i UEFA-s për Qëndrueshmërinë Sociale dhe Mjedisore, Michele Uva, falënderoi FSHF për mikpritjen dhe organizimin e shkëlqyer të mbledhjes. Ai tha se UEFA është e lumtur që bashkëpunon ngushtë me FSHF-në dhe vlerësoi kontributin e Federatës së Futbollit në çështjet e qëndrueshmërisë sociale dhe mjedisore.

“Jemi shumë të lumtur që ndodhemi në Tiranë dhe falënderimi shkon për Federatën Shqiptare të Futbollit për organizimin e këtij eventi me ne.

Për ne është një nder, për ne si UEFA dhe 54 federatat e tjera, që jemi këtu, që punojmë së bashku, në një mënyrë praktike.

Qëndrueshmëria është duke u përmirësuar në hapësirën e futbollit. Ne duhet t’i paraprijmë nevojave të shoqërisë civile. Futbolli është një nga platformat më të mëdha në botë dhe neve na duhet ta përdorim që t’i përfshijmë të gjithë bashkëpunëtorët në linjën e qëndrueshmërisë. Qëndrueshmëri do të thotë përgjegjësi sociale, respekt i mjedisit dhe të 55 federatat anëtare janë duke punuar së bashku për të ndarë praktikat më të mira dhe ecur përpara me këtë çështje.

UEFA është shumë e lumtur që bashkëpunon me FSHF-në, sepse është një nga federatat e para që ka punuat për të përmirësuar çështjet e qëndrueshmërisë nëpër Europë. FSHF po punon shumë mirë, jemi shumë krenarë të bashkëpunojmë me ta”, – tha Michele Uva.

Përfaqësuesi i Federatës së Irlandës, Des Tomlinson, theksoi se organizimi ka qenë perfekt dhe gjatë mbledhjes janë diskutuar përmbajtje shumë të rëndësishme të qëndrueshmërisë mjedisore dhe përgjegjësisë sociale.

Është fantastike te jemi këtu në Shqipëri, në Tiranë. Ambient fantastik për mbledhjen tonë SES, afër me stadiumin, përballë nesh. Organizimi ka qenë perfekt, të jemi kaq afër stadiumit dhe të kemi mundësinë të punojmë me kolegët dhe të bëjmë aktivitete të lidhura me punën e SES. Përmbajtja e programit gjatë këtyre ditëve ka qenë shumë ndihmuese, duke nisur nga Carbon Footprint Calculator te diversiteti dhe përfshirja. Është shumë ndihmuese kur ne si menaxherë të SES mblidhemi si grup dhe punojmë me një përmbajtje shumë të rëndësishme”, – Des Tomlinson.

Përfaqësuesja e Federatës Ukrainase, Iryina Makarevych, u shpreh se organizimi ishte i një niveli të lartë dhe mbledhja shërbeu për të përmirësuar punën në këtë drejtim.

“Na pëlqen organizimi, sepse është i nivelit të lartë, çdo gjë është e organizuar mirë, ambienti, programi, sidomos sesionet ku marrim udhëzime nga Uefa dhe më pas punojmë në grup, për të praktikuar, për të bërë pyetje dhe përmirësuar punën tonë”, – Iryina Makarevych.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat