Goli i 4 i Vllaznisë ndaj Tiranës ditën e djeshme në Klasiken e Shqipërisë solli edhe një situatë të pahijshme për futbollin shqiptar. Tifozët e Tiranës goditën e sende të forta dhe lëndë plasëse lojtarët shkodranë të cilët po festonin golin kundër tyre.
Nga kjo situatë u shtrinë përtokë 3 futbollistë, ku njëri prej tyre ishte Esat Mala. Mesfushori ka marrë një goditje, i cili më pas u detyrua të linte fushën e lojës për shkak të plagëve të marra.
Mala kërkoi ndihmën e shpejtë dhe me ambulancë u nis drejt spitalit. Tashmë te Vllaznia dhe të gjithë sportdashësit presin të mësojnë më shumë mbi gjendjen e mesfushorit.
“Për shkak të këtij shpërthimi, njëri nga lojtarët e Vllaznisë, i plagosur më rëndë, u detyrua të lërë fushën e lojës dhe të dergohet menjëherë në Spitalin Rajonal të Lushnjës. Sipas raportit të mjekëve të urgjencës së spitalit rezultoi ka pësuar djegie, humbje të dëgjimit dhe humbje ekuilibrit.
Ndërkohë lojtarët e tjerë që mbetën në fushën e lojës pësuan turbullime të dukshme te shikimit dhe të dëgjimit”, është informacioni i parë nga shkodranët për lojtarin, ndërsa në orët në vazhdim pritet të mësohet më shumë mbi gjendjen e Malës.
Kujtojmë se ish-i i Partizanit është një element kyç te Vllaznia, i cili gjithashtu ishte një nga autorët e golave në Klasiken ndaj Tiranës.