Ka ndërruar jetë të hënën në moshën 63-vjeçare, portieri legjendar i Hajdukut të Splitit dhe Kombëtares së Kroacisë, Tonçi Gabriq.
Të enjten (sot), familja, miqtë dhe ish-shokët e skuadrës i japin lamtumirën e fundit me një përkujtim në kinemanë në Polud.
Duhet theksuar se më 10 maj të vitit 1987, Prishtina e mposhti Çelikun e Zenicës me rezultat 3:2 në kuadër të Ligës së Parë të ish Jugosllavisë.
Në portën e Çelikut kishte qenë Gabriqi ku pati pësuar tre gola.
Dikur ishte rival i Prishtinës së Fadil Muriqit, Kujtim Shalës, Mensur Nexhipit, Sahit Kelmendit, Skënder Shengylit, Xhevdet Muriqit, Gani Llapshticës, Shukri Paçaradës, Arbnor Morinës, Abdyl Bellopojës etj.
Ai mbrojti për Hajdukun në 187 ndeshje dhe mori çmimin ‘Zemra e Hajdukut’ për lojtarin më vetëmohues në sezonin 1996/97.
Ai ka veshur nëntë herë fanellën e Kroacisë përfshirë edhe ndeshjen e parë historike kundër Shteteve të Bashkuara të Amerikës.
Përkujtimi i Gabriqit mblodhi së bashku legjenda të mëdha dhe ish-lojtarë të klubit nga Polud dhe miq të tjerë sportivë të Tonçit, si Shurjaku, Vujoviqi, Vuliqi, Kataliniqi, Kaliniqo, Sheriqi, Slaven Biliqi, Mate Biliqi, Rapunica, Tudor, Vilson Xhoni.