Klasikja e Pollogut midis Shkëndijës dhe Besës nga Dobërdolli përfundoi me fitoren e vendasve 2:1. Në këtë përballje golin e dytë për “kuqezinjtë” e realizoi Besart Ibraimi.
Për golashënuesin më të mirë në historinë e futbollit vendor, ishte ky goli numër 7-të këtë edicion, duke u ngjitur kështu në krye të listës së golashënuesve..
Megjithatë, Ibraimi shqetësoi stafin drejtues të Shkëndijës në takimin e djeshëm, kjo pasi menjëherë pas golit të shënuar kërkoi të zëvendësohet.
Mirëpo ky nuk është shqetësimi i vetëm te Shkëndija, pasi për shkak të një dëmtimi, në pjesën e dytë në fushë nuk zbriti fare sulmuesi tjetër, Fiton Ademi.
Kujtojmë, që të dy mbajnë epitetin e golashënuesve më të mirë te skuadra tetovare, me gjithsej 12 gola, 5 prej të cilëve ka shënuar 22-vjeçari, Fiton Ademi, i cili ndanë pozitën e 5-të në listën e golashënuesve, bashkë me sulmuesin e Struga Trim Lum, Lanre Kehinde, ndërsa para tyre ndodhet Abdulhadi Jahja me 6 gola të realizuar.
Ndryshe, bashkë me Ibraimin në krye të listës së golashënuesve me nga 7 gola, renditen edhe sulmuesi i Sileksit, Marko Gjorgjievski dhe ai i AP Brera, Djordje Ivkoviç.