Dinamo dhe Bylis kanë luajtur pasditen e sotme sfidën e vlefshme për javën e 11-të të Superiores. Ndeshja e zhvilluar në “Elbasan Arena” përfundoi me rezultatin e barabartë 1-1. Pas kësaj sfide ka folur trajneri i Dinamos, Ilir Daja.
“Rezultati iu përgjigj lojës që bëmë. Mund ta humbnim ndeshjen ashtu siç mund ta fitonim. Ajo që më mërzit është që nuk kemi pse reagojmë pasi të pësojmë gol.
Duhet të jemi më fleksibël në veprime, i kishim marrë masat dhe për kundërshtarin. Në pjesën e dytë treguan një forcë karakteri për ta marrë fitoren, kishim mundësitë tona.
Por barazimi është rezultat i drejtë për këtë ndeshje.
Sigurisht që neve na interesojnë pikët si fillim, pasi kemi rikuperuar goxha në tabelën e klasifikimit. Në pjesën e parë e favorizuam Bylisin me gabimet tona pa dashur që t’i heq asnjë meritë kundërshtarit.
Të njëjtën luhatje si ne e kanë pasur dhe ekipet e tjera. Problemi ynë është që nuk po kemi një 11-she startuese, gjë e cila do na jepte një stabilitet në fazat e lojës. Janë shumë arsye që s’kemi 11-she startuese. Dy qendërmbrojtësit janë mungesa që dihen”, u shpreh Ilir Daja.