Interi është gati që të mbrojë fronin

Futboll

Interi është gati që të mbrojë fronin

Më: 1 nëntor 2024 Në ora: 16:27
Interi

Mision i kryer me sukses për Interin në Empoli.

Skuadra e Simone Inzagit ka arkivuar menjëherë barazimin 4-4 në “San Siro” kundër Juventusit dhe ka larguar gjithashtu ndonjë pasiguri në aspektin psikologjik që kishte kapluar grupin.

U rikthye kërcënuese me pikë, lojë dhe gola. Për më tepër e mbajti portën të paprekur. Sigurisht që një dorë të madhe skuadrës së Interit ia dha edhe kartoni i kuq i Gokliçizes pas gjysmë ore lojë dhe i hapi rrugën kampionëve në “Castelani”.

Por ato që vlejnë janë 3 pikët dhe erdhën për të ndaluar gjithashtu arratisjen e Napolit. Kampionët e Italisë janë gati për të nisur betejën në mbrojtjen e titullit kampion. Kundër të besuarve të D’Aversës, që janë gjithmonë agresivë dhe të vendosur mirë në fushën e lojës, zikaltrit e nisën disi me frena dore, por në përgjithësi ndeshja në Empoli ka ekzaltuar disa aspekte.

Turam është konfirmuar edhe një herë tjetër vendimtar me lëvizjet e tij duke shkaktuar një tjetër karton të kuq pas atij të Maripan në “San Siro”. Fratezi ka treguar se qetësisht mund t’i luajë shanset e tij si titullar ndeshje pas ndeshjes dhe arriti që të shënonte dopietën e tij të parë si zikaltër. Lautaro, u rikthye te goli, ku në fakt qëndroi vetëm 1 ndeshje pa shënuar.

Goli e çliroi si një luan në kafaz që kërkon të tregojë se ende nuk ka qenë në formën që ai mund të shpartallojë rivalët.

Skuadra është në rritje, di të luajë edhe pa elementët e rëndësishëm si Açerbi dhe Çalhanoglu, ku rikthimi i këtij të fundit është në horizont. Por është në fakt shumë e vështirë për të nxjerrë përfundime për këtë ndeshje.

E vërteta është që skuadra e Inzagit ka dashur që të japë një mesazh të qartë për konkurrentët: Për arrati është akoma herët, shumë herët madje. Kampionët e Italisë duan që të mbrojnë titullin dhe duket se kjo luftë është gati të fillojë. Për momentin është Venecia, pastaj Arsenali në Champions dhe dueli i rrethuar me të kuqe në kalendar: Përpara pushimit për kombëtaret, në San Siro do të vijë Napoli i Kontes.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat