Pas derbit të çmendur të Italisë që u shën jua nga loja e mirë e Jildiz, por edhe nga gabimet e shumta nga të dyja skuadrat, Juventusi merr një tjetër barazim.
Këtë herë megjithatë pika ndaj Parmës është më e hidhur në raport me atë të arritur në San Siro ku ishte në disavantazhin e dy golave. Një hidhërim ky që vjen pjesërisht për shkak të fitoreve të Napolit, Interit dhe Atalantës që e bën Juven të humbas terren në luftën për titull e pjesërisht për mënyrën si u luajt ndeshja ndaj të besuarëve të Pekias.
Përveç golave të realizuar nga Mek- ’Keni dhe Ueah që shmangën një dështim të madh të “Zonjës”, kundër Parmës bardhezinjtë vuajtën shumë gjatë ndeshjes. Lojtarët e Motës vuajtën në mbrojtje, vuajtën për të gjetur distancat e duhur mes reparteve e gjithashtu vuajtën në ritmin e lojës, qartësinë dhe kualitetin. Balancat mungojnë dhe kjo është shumë e dukshme.
MBROJTJA– Mbrojtja ishte lajmi më i hidhur për Tiago Motën në barazimin ndaj Parmës. Ka momente kur mund të mos fitosh, por të bindësh me lojë, por për Juven ky nuk është rasti. Reparti difensiv dështoi t’i jepte siguri Di Gregorios që mos të vihej në vështirësi, por mbi të gjitha ishte shumë e brishtë. Që pas dëmtimit të Bremerit, balancat në prapavijë kanë humbur ndjeshëm. Mjafton të shihet se në 2 ndeshjet e fundit “Zonja” ka pësuar 6 gola, 4 ndaj Interit dhe 2 ndaj Parmës. Përpara këtyre dy sfidave, Juventusi kishte pësuar vetëm 1 gol. Një kambanë alarmi për Motën që tashmë detyrohet t’i shtojë presionin drejtuesve për të gjetur sa më parë një zgjidhje në merkato. Zëvendësuesit nuk po bindin, sidomos Danilo që sa herë i është besuar një fanellë titullari ka zhvilluar ndeshje “horror”. Duele të humbura, gabime foshnjarake, penallti të shkaktuara që ndikojnë në rezultatet negative të Juventusit.
SULMI– Fajet kryesore sigurisht që bien mbi Dushan Vlahoviçin kur bëhet fjalë për repartin ofensiv. Rasti i humbur ndaj Parmës kur ishte vetëm pak metra nga porta tregon mungesën e qetësisë të sulmuesit serb. Vlahoviç pothuajse nuk ka pushuar aspak për shkak të mungesës së një zëvendësuesi.
Një plan B nuk ka, ose nuk është parë për momentin dhe për shumë skuadra ky Juventus është shumë i lexueshëm në ritmin e ulët të lojës. Megjithatë, jo të gjitha fajet janë të Tiago Motës duke parë se edhe mungesat kanë bërë të vetën, por mungesa e përqendrimit është diçka që nuk ka të bëjë me lojtarët që nuk janë në dispozicion të trajnerit.
LAJMET POZITIVE- Konseisao dhe Ueah janë dy lajmet pozitive që Tiago Mota ka marrë në këtë situatë të vështirë. Për portugezin tashmë drejtuesit janë bindur se është lojtari adapt për skemat e Motës, ndërsa amerikani po bind gradualisht. 2 gola në 2 ndeshjet e fundit, ndaj Interit dhe Parmës, shumë të ngjashme duke parë se kanë ardhur në bashkëpunim të dyfishtë me Konseisaon. Ueah po jep sinjale se mund të luftojë për një fanellë titullari dhe të lejë shenjë në ndeshje.