Napoli është skuadra që ka impresionuar këtë edicion në Serie A.
Skuadra e drejtuar nga trajneri Antonio Conte renditet në pozitën e parë me 25 pikë. Ka katër pikë më shumë se Interi që është në vendin e dytë.
Por për ta ruajtur formën e mirë që skuadra është duke e treguar këtë edicion, trajneri Conte ka deklaruar se duhet të punojnë shumë dhe vetëm kështu në fund do të shpërblehen.
“Ne duhet të punojmë për të krijuar diçka të bukur në fund të edicionit. Ne nuk jemi në gjendje të gabojmë. Mrekullitë e futbollit kanë ndodhur gjithmonë, por duhet të punosh për të shpresuar, nuk mjafton vetëm të lutesh”, ka thënë Conte, shkruan të premten “Reuters”.
Napoli të dielën e pret Atalantan nga ora 12:30 në ndeshjen që është e vlefshme për javën e 11-të të kampionatit italian.
Conte e ka vlerësuar punën që është duke e bërë trajneri Gian Piero Gasperini me skuadrën e Atalantas.
“Vlerësime për klubin edhe për trajnerin Gasperini, i cili ka bërë një punë të jashtëzakonshme në gjithë këto vite. Kam respekt të madh për të”, u shpreh Conte.
Atalanta ka 19 pikë dhe renditet në pozitën e tretë.