Kosova barazon me Izraelin

Futboll

Kosova barazon me Izraelin

Më: 2 nëntor 2024 Në ora: 14:04
Kombëtarja e Kosovës U17

Kombëtarja e Kosovës U17 për vajza ka arritur të marrë një pikë të rëndësishme në ndeshjen kundër Izraelit, duke barazuar 1:1 në sfidën e zhvilluar në stadiumin “Niko Dovana” në Durrës.

Kjo ishte ndeshja e dytë dhe e fundit e Kosovës në Grupin B4 të Ligës B për kualifikimet e Kampionatit Evropian 2025.

Pas fitores kundër Shqipërisë me rezultat 3:1, vajzat e drejtuara nga përzgjedhësja Sanije Krasniqi patën paraqitje të mirë edhe kundër Izraelit. Ato arritën të kalojnë në epërsi në minutën e 73-të, falë golit të Olsa Maqestenës. Megjithatë, Kosova nuk arriti ta ruajë avantazhin deri në fund, pasi Izraeli barazoi në minutën e 89-të me golin e Dagan Bokobzës.

Pas këtij barazimi, Kosova kryeson Grupin B4 me 4 pikë, ndërsa Izraeli renditet i dyti me 1 pikë dhe Shqipëria e fundit pa pikë. Kualifikimi do të vendoset pas ndeshjes së fundit mes Shqipërisë dhe Izraelit.

Për Kosovën, rezultati ideal do të ishte një fitore e Shqipërisë ose një barazim. Por, edhe nëse Izraeli fiton, Kosova ruan shpresat për kualifikim, por vetëm nëse fitorja izraelite nuk është më e thellë se 3:1, rezultati me të cilin Kosova mposhti Shqipërinë në ndeshjen e parë.

Pas ndeshjes përzgjedhësja Sanije Krasniqi u shpreh e kënaqur me angazhimin e vajzave dardane në lojë, por shprehu zhgënjimin për golin e pësuar krejtësisht në fund të ndeshjes.

“Sot kemi pasur një lojë mjaft të fortë me një kundërshtar shumë të fortë. Kishim raste si ne, ashtu edhe kundërshtari gjatë gjithë ndeshjes. Ka qenë një lojë me intensitet të lartë dhe shumë fizike.

Fatkeqësisht, pësuam një gol nga distanca në fund. Sidoqoftë, jam e kënaqur me lojën, por jo edhe me rezultatin, sepse tani kualifikimi ynë në Ligën A varet nga ndeshja e fundit Shqipëri-Izrael”, tha Krasniqi.

Ajo theksoi gjithashtu se ekipi i Kosovës është i ri dhe në rritje. “Shumica e vajzave janë të lindura në vitin 2009 dhe kjo gjeneratë ka të drejtë të luajë edhe një cikël, kështu që besoj që jemi duke u ngritur si ekip dhe kemi një të ardhme shumë të mirë”, nënvizoi ajo.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat