Spikati në sezonin 2019-2020

Futboll

Spikati në sezonin 2019-2020

Më: 3 nëntor 2024 Në ora: 11:25
Kumbulla

Në verë, Marash Kumbulla mbërriti te Espanjoli nga Roma në formë huazimi dhe në vetëm pak muaj qendërmbrojtësi i kombëtares kuqezi u kthye në një pjesë themelore në formacionin e skuadrës së drejtuar nga Manolo Gonzalez.

Mbrojtësi shqiptar, i lindur në vitin 2000, spikati në sezonin 2019-2020 me fanellën e Hellas Verona. Me klubin veronez ai shënoi golin e parë në vitin 2019, duke u bërë mbrojtësi i parë i lindur në vitin 2000 që shënon në Serinë A. Pas atij sezoni ku tregoi të gjitha cilësitë e tij, Kumbulla kaloi te Roma për gati 30 milionë euro. Me fanellën “Giallorossa”, ai fitoi Ligën e Konferencës, në finalen që u luajt në Tiranë mes Romës dhe Fejnordit në sezonin 2020-2021.

Në prill të vitit 2023 ai pësoi një dëmtim të ligamentit të kryqëzuar të përparmë që e mbajti jashtë fushës për disa muaj. Më pas me rikthimin nga dëmtimi, ai pati vështirësi në Romë dhe gjatë merkatos së verës që lamë pas mbrojtësi i kombëtares shqiptare u transferua në Spanjë në formë huazimi, duke iu shtuar dhe lojtarëve të tjerë të Shqipërisë që aktivizohen në Spanjë dhe i dyti në La Liga pas Ivan Balliut që luan për Rajo Vajekanon.

Tani, tek Espanjoli, ai ka rifituar besimin dhe formën e nevojshme që i lejon të performojë më të mirën e tij. Marash Kumbulla po rezulton të jetë një pjesë shumë e rëndësishme në mbrojtjen e Espanjolit. Sipas statistikave, në këtë pjesë të parë të sezonit ai është lojtari i Espanjolit me më shumë ndërhyrje (11), blloqe mbrojtëse (14), largime në mbrojtje (61) dhe i dyti në duele ajrore të fituara (20). Kontributi i Marash Kumbullës nuk ka qenë i kufizuar vetëm në fazën mbrojtëse.

Lojtari i përfaqësueses shqiptare kryeson skuadrën edhe në përqindje të pasimeve të suksesshme (86%), duke siguruar qëndrueshmëri në fazën e ndërtimit dhe të trajtimit të topit. Këto rezultate jo vetëm nënvizojnë rikthimin e Kumbullës në një nivel shumë të lartë, por konfirmojnë edhe rolin e tij vendimtar brenda skuadrës.

Megjithatë, sfida e madhe për Kumbullën dhe Espanjolin do të jetë e diela në derbin kundër Barcelonës. Ai dhe skuadra e tij do të përballen me skuadrën me sulmin më të frikshëm në Europë, ku bëjnë pjesë, Robert Levandovski, Lamin Jamal dhe Rafinja, sa për të përmendur disa.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat