Lautaro Martinez kërkon gol në shtëpi

Futboll

Lautaro Martinez kërkon gol në shtëpi

Më: 3 nëntor 2024 Në ora: 13:08
Lautaro Martinez

Me golin e shënuar kundër Empolit ditën e mërkurë, Lautaro Martinez u bë golashënuesi më i mirë i huaj i historisë së Interit duke parakaluar hungarezin Niers.

“Toro” është në kuotën e 4 golave në 9 javët e para të kampionatit dhe një tjetër e ka shënuar në Champions. Në Itali ka dhënë edhe 2 asiste, ndërsa te “Topi i Artë” u rendit i shtati. Të gjitha lajme të mira dhe numra pozitivë, por ka një kleçkë që duhet të zgjidhë.

Sepse duke u futur në detaje, dalim në përfundimin që Lautaro Martinez nuk shënon gol në kampionat në “San Siro” që nga 28 shkurti i vitit të kaluar.

Bëhet fjalë për ndeshjen kundër Atalantës të fituar me goleadë nga Interi (4- 0). Një periudhë e gjatë, thuajse një jetë kur e mendon në fakt se sa i rëndësishëm është Lautaro me golat e tij për Interin.

Megjithatë, në këtë nisje sezoni ka kaluar një moment të vështirë dhe goli i tij i parë erdhi në javën e gjashtë, dopietë kundër Udinezes. Pak ditë më vonë theu edhe mallkimin në “San Siro”, por goli ishte i vlefshëm në Champions kundër Cervena Zvezdës. Shënoi në Romë dhe me Empolin. Në çdo mënyrë ai është vendimtar, por publiku i “Meacës” po pret për të brohoritur mbiemrin e tij për një kohë të gjatë.

SHANSI- Ditën e nesërme Interi do të presë Venecian. Skuadra e Di Françeskos vjen pas përmbysjes që i bëri Udinezes dhe me moralin e lartë. Mbetet për t’u parë nëse Inzagi do të bëjë rrotacion duke ditur që të premten do të luajë në Champions me Arsenalin. Por për Lautaron, Venecia prezanton një mundësi të artë. Për të larguar polemikat edhe të “Topit të Artë” kërkon që të thyejë tersin që vazhdon prej një jete. Por ai di se si bëhet, nuk është hera e parë.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat