Xhiroja e 12-të e Superligës së Kosovës përfundoi dje (e hënë), me dy ndeshje.
U luajt në Malishevë, ku klubi me të njëjtin emër e mposhti Llapin e Tahir Batatinës me dy golat e Valmir Berishës.
Ballkani triumfoi bindshëm si mysafir i Feronikelit ’74 në Drenas, teksa Drita e mposhti Suharekën në udhëtim. Në “Fadil Vokrri”, Prishtina fitoi minimalisht ndaj Ferizajt në formë.
E, të shtunën, në takimin mes Gjilanit dhe Dukagjinit u ‘gjet’ “Ylli i Javës” në Superligën e Kosovës.
Skuadra e drejtuar nga Ismet Munishi, Dukagjini triumfoi 2-1 ndaj Gjilanit si mysafir.
Mërgim Pefqeli shënonte në minutën e pestë të ndeshjes, teksa për dyfishimin e epërsisë u përkujdes Hekuran Berisha.
Për Gjilanin, golin ngushëllues e shënoi Senad Jarovic, por që nuk ishte i mjaftueshëm.
Pikërisht Mërgim Pefqeli është përzgjedhur si më i miri i kësaj xhiro.
Pasi e mori çmimin “Ylli i Javës” që shpërndahet nga Federata e Futbollit e Kosovës (FFK), Pefqeli u shpreh i lumtur me këtë vlerësim.
“Kemi pasur një ecuri të mirë në 4 ndeshjet e fundit. Ka qenë një punë e stafit teknik që në këto 4 ndeshje të fitojmë pikët. Ka qenë çdo lojtar në çdo repart shumë kompakt.Në fillim të kampionatit kemi pasur shumë prurje, dhe me punën e stafit dhe punën e trajnerit Ismet Munishi, kemi arritur të komponohemi shumë mirë. Tashmë jemi më afër daljes në Evropë, me më shumë pikë se sa zonat e rrezikshme, dhe shpresoj që do të vazhdojmë performancën e tillë. Falenderoj shokët e skuadrës, stafin dhe në veçanti kryetrajnerin Munishi, sepse pa ta nuk do të shpallesha më i miri i xhiros”, tha ai për faqen zyrtare të FFK-së.