Arne Slot ka treguar se çfarë e bën Xabi Alonso-n “special” përpara ndeshjes së Champions League të Liverpool-it kundër Bayer Leverkusen.
Ky është një rikthim në shtëpi për Alonso-n, pasi spanjolli kthehet në Anfield për herë të parë që nga largimi i tij si lojtar drejt Real Madrid-it në 2009. Alonso do të jetë në stol si trajner i ekipit të tij, Bayer Leverkusen, që do të vizitojë Merseyside për një përballje të Champions League të martën në mbrëmje.
Alonso ka shkëlqyer si trajner, duke udhëhequr Leverkusen drejt titujve në Bundesliga dhe DFB Pokal gjatë sezonit 2023-24. Përpara kësaj përballjeje në Champions League, trajneri i Liverpool-it, Slot, lavdëroi spanjollin dhe shpjegoi se çfarë e bën atë një ‘trajner special’.
“Është e vështirë të thuhet çfarë e bën atë një trajner të veçantë nëse nuk punon me të çdo ditë, por ai është i tillë, kjo është e qartë. Kur mori drejtimin e ekipit, ata ishin në fund të tabelës, nuk shpenzoi shumë, kryesisht të njëjtët lojtarë, dhe ata humbën vetëm në finalen e Europa League”, tha Slot gjatë konferencës për gazetarë para ndeshjes.
“Ajo që e bën të veçantë është e vështirë për t’u përcaktuar, pasi nuk jam përballur apo punuar me të, por mendoj se fakti që ka punuar me trajnerë të jashtëzakonshëm në të kaluarën dhe ka luajtur në nivelet më të larta është vendimtar.
Ai gjithashtu e di dhe e kupton se çfarë ndjejnë lojtarët në momente të caktuara. Të gjitha këto kontribuojnë për t’u bërë një trajner i tillë. Mënyra më e mirë për të mësuar çfarë e bën atë special është të pyesësh lojtarët me të cilët ka punuar.”
Pas përballjes me kampionët gjermanë në Evropë, skuadra e Merseyside-it do të luajë të shtunën kundër Aston Villa-s në Premier League.