Ndeshja e mbetur e javës së dytë të elitës së futbollit të Kosovës në futboll, mes Prishtinës dhe Dritës, do të zhvillohet nesër, e e mërkurë.
Në konferencë për media kryetrajneri i Dritës, Zekirija Ramadani, tha se kjo ndeshje do të jetë më e vështirë se takimi i parë me FC Prishtinën.
"Jam i bindur se kjo ndeshje do jetë më e vështirë se ajo që ishte në Gjilan, pasi kjo do të zhvillohet në Prishtinë.
Por, gjithmonë mbështetemi te ekipi jonë, besojmë në kualitetin që kemi dhe gjithmonë kërkojmë më tepër nga vetja dhe e dijmë secili futbollist nuk duhet të jetë i kënaqur as edhe ne si staf teknik.
Jemi të gatshëm edhe pse edhe ne edhe FC Prishtina kemi pasur ndeshje ditën e dielë dhe shpresojmë vetëm në një rezultat pozitiv, ku për ne dihet është vetëm fitorja, nuk kalkulojmë asnjëherë, nuk shkojmë për një pikë, por për objektivin tonë kryesorë, tre pikëshi", theksoi Ramadani.
Takimet e shpeshta me FC Prishtinën bëjnë që loja të jetë e kuptueshme nga të dyja ekipet, por gjithmonë duhet të ketë motiv.
"Brenda pesë ditësh nuk mund të bëhen shumë ndryshime dhe edhe FC Prishtia në këtë rast nuk mund ta ketë më të kuptueshme lojën tonë, por edhe ne lojën e tyre.
Por, rrethana të tjera mund ta bëjnë lojën më 'luftarake' ambienti, fusha, stadiumi. Ekipet mund të jenë shumë më të motivuara, ambienti në mbrëmje me reflektorë do të jetë motiv shtesë për secilin futbollist", ka thënë Ramadani.
Timonieri i Dritës thotë se janë bërë analizat e ndeshjes edhe pse ka pasur vetëm një ditë kohë të plotë për përgatitje të ndeshjes.
"Analizat e bëjnë të vetën. Gjithmonë duhet punuar edhe më shumë, pikërisht forma e mirë, fitoret të rrisin motivin për punë sepse jam i bindur që në fund mundi dhe sakrifica shpërblehet.
Nga dita e dielë kishim vetëm një ditë rigjenerim dhe sot, por këtë po e përjetojmë të dyja ekipet", ka përfunduar Ramadani.
Takimi Prishtinës dhe Dritës do të zhvillohet neser, e mërkure ora 17:00, në Stadiumin "Fadil Vokrri", në Prishtinë.