Ruben Amorim do të përballet me Mançester Sitin sot në Lisbonë, por e gjithë vëmendja e tij, derisa të marrë zyrtarisht detyrën si trajner i Mançester Junajtidit është vetëm klubi portugez dhe jo “Djajtë e Kuq”.
Megjithatë, ai është i ndërgjegjshëm se shumica e pyetjeve që do t’i drejtohen në konferencat për shtyp derisa kjo të ndodhë në fund të këtij muaji, do të jenë të fokusuara te puna e tij e re.
Ai firmosi një kontratë 2.5-vjeçare në “Old Trafford”, me opsionin për të rinovuar edhe për një tjetër sezon, për të zëvendësuar Erik ten Hagun në Mançester. Por përpara se të marrë detyrën e re në stolin e gjigantëve të Premier Ligës, fokusi i tij janë ndeshjet e mbetura me skuadrën e Sportingut.
Një nga më të rëndësishmet është kjo e sotmja, kundër kampionëve të Anglisë dhe rivalëve të Mançester Junajtidit, Sitit. “Konkluzionet e nxjerra nga kjo ndeshje nuk janë të rëndësishme për mua.
Nëse rezultati është negativ, atëherë pritshmëritë do të bien. Por nëse ne fitojmë, ata do të mendojnë se Sër Aleks Fergusoni i ri ka mbërritur! Ajo që më intereson mua është të fitojë dhe të siguroj një lamtumirë të denjë në stadiumin ‘Alvalade’.
Ajo që unë dua është që t’i bëj tifozët dhe lojtarët e mi të lumtur”, tha 39- vjeçari në konferencën e djeshme për shtyp.
Në konferencë bashkë me të, ishte edhe Martin Hjulmand, kapiteni i Sportingut, i cili tha për Amorim:
“Ruben ishte një nga arsyet përse unë erdha te Sportingu. Mënyra sesi ai e menaxhon skuadrën brenda dhe jashtë fushe nuk është diçka që unë e kam parë në karrierën time të shkurtër”.