Tirana ditën e djeshme shkarkoi Bledi Shkëmbin për shkak të rezultateve negative në këtë sezon. Palët ndanë rrugët mes tyre pas vetëm 12 ndeshjesh në Superiore.
Tashmë bardheblutë nuk kanë humbur kohë dhe kanë gjetur menjëherë zëvendësuesin e timonierit korçarë. “Frenat” e kryeqytetasve do t’i marrë Gugash Magani, i cili ditën e sotme pritet të zbresë në fushë për të zhvilluar stërvitjen e parë me ekipin, pasi palët kanë arritur një marrëveshje verbale mes tyre.
Në fakt trajneri peqinas është një njohës i mirë i ambientit bardheblu, pasi në të kaluarën ka qenë në krye të Tiranës,. Për të tashmë është një rikthim në kryeqytet pas 9 vitesh. Tashmë mbetet që në orët e ardhshme të zyrtarizohet një lëvizje e tillë.
Kujtojmë se Tirana ditën e dielë do të luajë ndaj Bylisit në kampionat, takim i vlefshëm për javën e 13-të të Superiores. Kjo ndeshje është parashikuar të startojë në orën 17:00, me stadiumin që mbetet të konfirmohet në ditët e ardhshme.