Intervista e tij duhet të zhvillohej në orën 19:00, por Arsenali mbërriti me vonesë në Milano. Kështu që trajneri Arteta u paraqit përpara gazetarëve në orën 20:00.
Trajneri i Arsenalit, Mikel Arteta e ka konsideruar një ndeshje të madhe atë të mbrëmjes së sotme kundër Interit.
Numri një i “Topçinjve” u ka thurur elozhe të besuarve të Inzagit dhe thotë se duhet bërë më shumë sesa maksimumi për të marrë fitoren në “San Siro”.
“Ne e dimë shumë mirë se çfarë ka bërë Interi në Champions në vitet e fundit dhe sa mirë e ka nisur këtë edicion. Inzagi është një trajner i shkëlqyer dhe luan futboll cilësor dhe prodhon shumë raste. Duhet që të jemi të vëmendshëm për të bërë mirë detyrat tona në të dyja fazat dhe vetëm kështu mund të marrim rezultat pozitiv”, ka thënë fillimisht numri një i londinezëve. Ai gjithashtu u ndal edhe te largimi i drejtorit Edu Gaspar.
“Ndodhi gjithçka shumë shpejt. Kemi bërë një rrugëtim të bukur që nga dita e parë së bashku. Jam shumë mirënjohës për mundësinë që më ka dhënë. Është pjesë e jetës time profesionale. Duhet ta respektojmë dhe t’i urojmë më të mirën”, vazhdoi më tej.
I pyetur për faktin që Inzagi e sheh si favorit për Champions-in ai nuk ka dashur që të japë shumë mendime. “Nuk e di. Çdo trajner ka idetë e tij. Ne duhet ta tregojmë në fushën e lojës që jemi të aftë për ta mundur Interin. E dimë se çfarë filozofie ka kjo skuadër dhe se sa mirë dalin lojtarët me topin, duke mbyllur hapësirat dhe u bërë pikë pasimi në çdo moment. Interi është skuadër e vështirë”, ka thënë Arteta.