Tottenham do të zgjasë edhe me një vit kontratën e kapitenit

Futboll

Tottenham do të zgjasë edhe me një vit kontratën e kapitenit

Më: 6 nëntor 2024 Në ora: 13:05
Heung-Min Son

Tottenham po planifikon të rinovojë edhe me një vit kontratën me sulmuesin koreano-jugor Heung-Min Son.

Lajmin e konfirmoi “Sky Sports News”, që shtoi se palët kanë nisur bisedimet.

Marrëveshja aktuale e sulmuesit skadon verën e ardhshme, por përmban opsionin e një viti tjetër deri në vitin 2026. Opsion që skuadra londineze do ta aplikojë për ta mbajtur edhe një vit kapitenin.

Son nënshkroi nga Bayer Leverkusen në 2015, çka do të thotë që ai do të qëndrojë më shumë se një dekadë te Tottenham. Në moshën 32-vjeçare ai është aktualisht kapiteni i klubit dhe idhull i tifozëve.

Me fanellën e Spurs, ai ka shënuar 165 gola në 417 paraqitje zyrtare dhe ka fituar “Këpucën e Artë të Premier League” në sezonin 2021-22, së bashku me Mo Salah, me 23 gola.

Sulmuesi ishte dukshëm i mërzitur, pasi u zëvendësua në minutën e 56-të në fitoren 4-1 ndaj Aston Villa të dielën. Por, trajneri Ange Postecoglou tha se “ai nuk do të luante kurrë më shumë se kaq sepse kishte një dëmtim”.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat