Një tifoz i Bayern Munih ka ndërruar jetë pas një emergjence mjekësore, në fitoren kundër Benficës të mërkurën mbrëma, ka konfirmuar klubi.
Tifozi ndërroi jetë ndërsa po dërgohej në spital pasi kërkoi ndihmë mjekësore në tribuna vetëm tre minuta pas fillimit të ndeshjes në Allianz Arena.
LTifozët në anën jugore, sektori më i zëshëm i mbështetësve të Bayernit, ndaluan këngët dhe brohoritjet për pjesën më të madhe të ndeshjes në shenjë respekti për bashkë-tifozin e tyre. Tifozi u largua me barelë rreth gjysmë ore pas fillimit të ndeshjes pasi mori ndihmë nga paramjekët dhe policia.
Harry Kane asistoi në golin e Jamal Musiala në minutën e 67-të dhe, ndërsa goli u festua, atmosfera në stadium ishte ndryshe dhe e qetë, gjë që nuk është e zakonshme për këtë ekip.
“Ne nuk e dinim gjatë ndeshjes, vetëm pas saj,” tha mesfushori Konrad Laimer, para se të mësonte për humbjen e jetës së tifozit.
“I urojmë familjes forcë dhe gjithë të mirat, jemi duke menduar për të gjithë të përfshirët dhe shpresojmë për më të mirën për tifozin”, shtoi ai.
“Në ndeshjen e fazës së grupeve të Champions League ndaj Benficës, fitorja 1-0 e FC Bayern u errësua nga një ngjarje e trishtë. Një emergjencë mjekësore në tribunat e Allianz Arena hodhi një hije mbi lojën që nga fillimi”, thuhet në një deklaratë të klubit të Bayernit.
“Për shkak të situatës, tifozët në anën jugore abstenuan nga mbështetja e zakonshme e zëshme për ekipin e tyre, dhe klubi gjithashtu reduktoi mbulimin e ndeshjes”.
“Rreth një orë pas fishkëllimës së fundit, kampionët rekord të Gjermanisë morën lajmin e hidhur se tifozi kishte ndërruar jetë rrugës për në spital. FC Bayern është në zi së bashku me të afërmit e tifozit.”
Grupi i tifozëve Club Nr. 12 tha se anëtarët e tij nuk do të mbështesnin si zakonisht atë ditë për shkak të ndërhyrjes emergjente mjekësore. “Jeta është përpara sportit. I urojmë familjes dhe miqve shumë forcë.” .