Formë e shkëlqyer, Baton Zabërgja flet për formën fantastike nën urdhrat e Ilir Dajës

Futboll

Formë e shkëlqyer, Baton Zabërgja flet për formën fantastike nën urdhrat e Ilir Dajës

Më: 7 nëntor 2024 Në ora: 11:53
Baton Zabërgja me shokë

Dinamo e pret derbin e dytë se zonal me Partizanin në një moment shumë të mirë. Vjen pas fitores 0-5 ndaj Elbasanit dhe morali është mjaft i lartë, por në anën tjetër pritshmëritë rriten dhe në kampin dinamovit e kanë të qartë situatën.

Baton Zabërgja, sulmuesi anësor që luan sezonin e dytë me fanellën blu, ishte autori i një dopiete në ndeshjen e fundit, ndërsa në total e ka gjetur rrugën e rrjetës 5 herë.

Ai, bashkë me Bregun dhe Mandelën, kanë formuar një treshe mjaft simpatike në sulmin e “Nëndetëses”. Ata janë “violinat e para” të një “orkestre” që në ndeshjen e fundit funksionoi në mënyrë perfekte.

Në një intervistë ekskluzive për “Panorama Sport”, 23- vjeçari rrëfen momentin e mirë të tijin dhe të skuadrës, si dhe ndonjë “sekret” të trajnerit Ilir Daja. Zabërgja thotë se Dinamo ka një grup fantastik lojtarësh dhe nuk i mungon asgjë për të fituar trofe këtë sezon.

Baton, dopieta e parë në Superiore për ju. Është e para në gjithë karrierën tuaj?

Në Superiore ishte e para ajo kundër Elbasanit, ndërsa në karrierë kam shënuar 2 gola në një ndeshje kupe në Kosovë me Drenicën. Atë ditë ishte diçka e bukur për mua, sepse para ndeshjes më telefonoi mbesa dhe më tha: ‘Dajë, a po na kënaq sot?’ Me 2 gola patjetër që u kënaq, ashtu si dhe prindërit që ishin në stadium.

E prisnit atë fitore të thellë kundër Elbasanit, ku Dinamo mbi të gjitha bëri ndeshjen perfekte?

Ndoshta me atë rezultat jo, por e prisnim të fitonim me Elbasanin. I dimë vlerat tona, kemi një skuadër të fortë, me kualitet dhe të kompletuar. Kemi punuar shumë dhe donim të ktheheshim te fitorja pas atyre barazimeve radhazi që sikur na prishën pak punë. Siç u pa në fushë, bëmë çdo gjë mirë në atë ndeshje. Gjithë puna në stërvitje u konkretizua në ndeshje dhe ne ishim dominues ndaj kundërshtarit nga fillimi në fund. Shënuam 5 gola, bëmë një lojë të bukur dhe të dyja këto na shtojnë besimin për më tej. Tani na duhet që të kemi vazhdimësi dhe pse jo të rritemi më shumë javë pas jave.

Dhe përpara është derbi me Partizanin. Çfarë ndeshjeje prisni të shtunën në Elbasan?

Shpresoj shumë të jemi në po atë nivel që ishim në ndeshjen e fundit. Do të jetë e vështirë, por Dinamo jam i bindur se nuk ka asgjë mangët ndaj Partizanit dhe ndaj rivalëve të tjerë. Në derbin e fazës së parë me Partizanin u paraqitëm shumë mirë, shënuam të parët dhe kishim raste për ta mbyllur ndeshjen. Edhe tani pres një ndeshje të fortë dhe të hapur, ku ne do të kemi shanset tona. Ne na takon t’ia bëjmë shërbimin si duhet kësaj sfide dhe të kërkojmë fitoren, pastaj se çfarë do të rezervojë fusha, do ta shohim.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat