Interi “ulëret” me Hakan Çalhanoglunë dhe i shtrin dorën atij për të shkuar në yje… Zikaltrit e Simone Inzagit mundin Arsenalin 1-0 dhe shkojnë në kuotën e 10 pikëve në Champions, falë mbrojtjes “së hekurt”, që ende nuk ka pësuar asnjë gol pas 4 javëve të parë në Europë.
Ndryshe nga herët e tjera skuadra u tregua cinike dhe mori maksimumin nga ky gol i turkut përballë një ekipi që sulmoi me forcë, por nuk e gjeti dot “çelësin” për portën e Zomerit.
NOTAT E INTERIT
ZOMER 6,5- Mbrëmje impenjative për portierin e Interit. “Topçinjtë” bombardojnë portën e tij me krosime, por ai përgjigjet siç duhet. Në një prej tyre rrezikon që të shkaktojë penallti që në Itali do të vërshëllehej. Por në fund ndal një goditje të Havercit dhe mban portën e paprekur. Katër në katër.
PAVAR 6,5- Francezi luan brenda fushës për të ndalur depërtimet e mesfushorëve të Artetës. Jep kontribut të madh në krosimet që vijnë brenda zonës. Mbrëmje pozitive.
DE VRAJ 7- Duket pak, por kur thërritet në apel është gjithmonë prezent. Ashtu siç i heq mundësinë Trosarit në fundin e pjesës së parë apo kur është agresiv me Sakanë. Shfaq shumë pak pasiguri dhe e spastron zonën me forcë. Lider i prapavijës.
BISEK 7- Saka e provon që në start, por ai i merr masat mirë. Bashkë me Darmianin ia dalin që të mbijetojnë nga kërcënimi i vazhdueshëm. Në rezistencën finale tregon centimetrat. Devijimi i goditjes së Havercit vlen sa një gol. I kënaqshëm edhe në fazën sulmuese.
DUMFRIS 7- I jep mirëseardhjen Arsenalit duke goditur traversën pas 2 minutash lojë. Është i rrezikshëm përpara me galopimet e tij. Në mbrojtje i duhet një pjesë për të marrë masat ndaj Martinelit.
FRATEZI 5,5- E ka të vështirë që të gjejë pozicionin në fushë dhe të futet në ndeshje. Inzagi i kërkon që të dublojë Martinein dhe ai nuk e bën siç duhet. Ka vetëm një rast në fundin e pjesës së parë. (Nga 62’ Barela 6,5- Përtej kartonit të pakuptueshëm, ndikimi i tij është i jashtëzakonshëm. Bën 2-3 aksione me intensitet për të mbrojtur rezultatin).
ÇALHANOGLU 7- Rikthehet në kabinën e “regjisë” pas dëmtimit dhe prezenca e tij bie menjëherë në sy. Vë në provë portierin rival nga distanca, pastaj tregohet i saktë nga penalltia.(Nga 71’ Asllani 6- I jep oksigjen skuadrës së Interit).
ZIELINSKI 6,5- Luan 60 minuta me ritëm të lartë. Në pjesën e parë është një nga më pozitivët e skuadrës për qartësinë e pasimit. I pason Dumfrisit topin që e çoi në traversë. Polaku nuk është thjesht një rezervë luksi. (Nga 62’ Mkitarian 6- Nuk kishte 90 minuta në këmbë, por për aq sa luan e mban lart nivelin e mesfushës).
DARMIAN 6- I bllokuar në krahun e tij sepse ka përballë Sakanë. Kurrë nuk shkon të sfidojë Uajtin, por me sulmuesin dhe kapitenin ia del më së miri.
TAREMI 6,5- Ndeshja e katërt si titullar në Champions. Ka sërish meritë që fitoi penalltinë, ashtu siç bëri ndaj Cervena Zvezdës. Këtë herë nuk shënoi as gol dhe as asist, por luftoi pafund për topin. (Nga 79’ Dimarko-Pa notë).
LAUTARO 6- Paraqitje me paterica, por mjaftueshëm. Pa partnerin e tij të përhershëm nuk e ka të lehtë. E mbyll ndeshjen pa raste dhe gola, por e shpërndan mirë lojën për Dumfrisin. (Nga 62’ Turam 6- Në minutat e para ka përqendrim. E udhëheq i vetëm sulmin në fund).
TRAJNERI INZAGI 7- Tha që duhej një Inter i bukur për të thyer Arsenalin, por në fakt prezantoi një Inter cinik dhe të pathyeshëm në mbrojtje. Hoqi dorë nga loja e bukur dhe titullarët. Edhe kështu vlen.