Hansi Flick është gjithmonë kërkues.
Pas derbit katalanas, pavarësisht fitores, bëri një paralajmërim: “E pranoj, sepse kemi fituar, por të mërkurën duhet të jemi në një nivel tjetër”. Dhe erdhi e mërkura, u luajt ndeshja në atmosferën inkadeshente të Beogradit. U pa qartë se paralajmërimi i tij ndikoi, Barça ishte e fokusuar nga minuta e parë deri në 90-tën. Trajneri gjerman dukej shumë i kënaqur në konferencën për shtyp, pas fitores 5-2 në kryeqytetin serb:
“Jam vërtet i lumtur, e vlerësoj shumë paraqitjen që bëmë në Beograd. Luajtëm shumë mirë me topin, gjithashtu në mbrojtje. Kemi bërë presion permanent ndaj kundërshtarit. Për mua të rëndësishme janë 3 pikët. Ishte shumë e rëndësishme të fitonim këtu, pasi e humbëm ndeshjen e parë kundër Monaco. Nuk është e lehtë të fitosh jashtë fushe në këtë kompeticion, kudo qoftë, por sonte bëmë paraqitje të mirë”.
Trajneri gjerman vlerësoi rivalin, Crvena Zvezda, që nuk e humbi kurrë toruan në lojë: “Jam dakord me fjalët e Iñigo (i cili gjithashtu theksoi se duhej të luftonin shumë për të fituar). Serbët luajtën shumë mirë, dinë të luajnë me topin dhe është e vështirë t’i depërtosh në mbrojtje. Për më tepër, ne luajtëm në një atmosferë që ishte fantastike. Nuk është e lehtë të qëndrosh i përqendruar për 90 minuta, por sonte ia dolëm. Kjo është diçka që e vlerësoj shumë”.
Hansi Flick u pyet edhe për Pau Cubarsí, i cili pësoi një goditje të fortë në fytyrë, minutat e fundit të lojës. Trajneri shpjegoi: “Është mirë, i kanë bërë disa qepje në fytyrë për t’ia mbyllur plagët. Sidoqoftë, është i ri dhe do të rikuperohet shpejt. Kur plakesh, është më keq”.
Flick foli edhe për emra të tjerë, si Robert Lewandowski. “Është faji im nëse e zëvendësova dhe ai nuk mundi të arrinte 100 gola, por ndeshjen e ardhshme do të luajmë kundër Real Sociedad dhe kemi nevojë për lojtarë të freskët. Kjo është arsyeja pse e zëvendësova. Robert na ndihmoi shumë me dopietën e tij”.
Për Koundé dhe tri asistimet e tij, trajneri shtoi: “Ai është një shembull shumë i mirë për të gjithë ekipin. Është një profesionist i vërtetë, shumë i përfshirë, e vlerësoj shumë rolin e tij”.