Thuajse në çdo ndeshje Partizani duhet të përballet me dy apo tre lojtarë të dëmtuar, që detyrojnë stafin teknik të improvizojë në raste të veçanta.
Gjatë ndeshjes së fundit kundër Teutës katër lojtarë shfaqën probleme fizike dhe e lanë fushën mes dhimbjesh. Ndeshja me Dinamon në Elbasan luhet pas vetëm dy ditësh dhe koha kaq e shkurtër vë në dyshim praninë e të katërve në fushë. Andi Hadroj, Redon Ismaili, Arshonzh Bintsuka dhe Gjelbrim Taipi do të duhet të ndiqen deri të premten pasdite për të parë gjendjen e tyre.
Burime pranë klubit bëjnë me dije se më problematike shfaqet gjendja e Ismailit. Pas testeve mjekësore mësohet se mesfushori ka pësuar një kontraktim muskulor, që ja bën thuajse të pamundur pjesëmarrjen në derbin me blutë.
Sakaq, tre të tjerët kanë pësuar vetëm goditje dhe kanë shanse reale për të luajtur edhe si titullarë.
Sakaq, lajmi i mirë është rikthimi i Mehmetit në mesfushë, pas shlyerjes së pezullimit të katër kartonëve. Si zakonisht skuadra dje i është nënshtruar seancës së radhës stërvitore, me trajnerin Veselinoviç, që ndryshe nga çfarë tregohet në media, në stërvitje është shumë kërkues dhe kritik.