Carlo Ancelotti rrezikohet të shkarkohet. Lajmi i bujshëm vjen nga “Relevo”, një media autoritative spanjolle, e cila flet për pakënaqësi të madhe në bordin e Real Madridit, pas rezultateve të fundit. Kushdo aty, në klubin kampion të Europës, me në krye Florentino Perez, nuk është aspak i kënaqur me drejtimin që po merr sezoni.
Nëse deri pak javë më parë askush në klubin e bardhë nuk do ta kishte menduar shkarkimin e trajnerit italian gjatë sezonit aktual, tani situata duket se ka ndryshuar. Arsyeja kryesore e shkarkimit të tij do të lidhej me rezultatet negative.
Pas disfatës së keqe 4-0 ndaj Barcelonës, erdhi edhe ajo 3-1 kundër Milanit. Të dyja “turpërimet” ndodhën në “Santiago Bernabeu”, në sytë e mijëra tifozëve të bardhë, të cilët kanë mbetur tejet të zhgënjyer. Real Madridi është 9 pikë pas Barçës në La Liga, ndërsa në Champions League ka vetëm 6 pikë në 4 ndeshje.
Problemi, megjithatë, nuk janë vetëm rezultatet. Ancelotti nuk e ka gjetur ende çelësin për t’i bërë të gjithë sulmuesit në skuadër të bashkëjetojnë, pas ardhjes së Mbappè. Madje edhe ata që bënë diferencën deri sezonin e kaluar, veçanërisht Jude Bellingham, duket se kanë bërë dy hapa mbrapa.
Jo vetëm kaq: një tjetër nga çështjet që shqetësojnë më shumë drejtuesit e Real Madridit është mungesa e mundësive për Endrick e mbi të gjitha Arda Güler. Futbollisti turk lë gjithmonë ndjenja shumë pozitive kur del në fushë, por asnjëherë nuk ka arritur të luajë vazhdimisht.
Shkarkimi gjatë sezonit aktual do të ishte i bujshëm, jo vetëm sepse Ancelotti ka fituar dy herë Champions League që nga rikthimi i tij në stolin e bardhë. Në total, në tri vite ai ka shtuar 10 trofe në “palmaresin” e Real Madridit.