Sezonin e kaluar, për herë të parë si kundërshtar, Romelu Lukaku u prit me një gamë të madhe ngacmimesh teksa mbërriti në “San Siro” me autobusin e Romës, pa u futur as në stadium.
Ai ishte larguar nga Interi për herë të dytë, por nëse i pari do të ishte justifikuar me një mal me para (më shumë se 100 milionë euro nga Chelsea), i dyti nuk ishte falur nga tifozët zikaltër, të cilët e “përmbytën” gjatë Inter-Roma me mijëra fishkëllima (edhe me aplikacione speciale të celularit), si në kohën e Ronaldos, “fenomenit” të Milanit.
Në “San Siro”, Ronaldo humbi, por i goditi tifozët zikaltër në zemër. Lukaku nuk ishte në gjendje të bënte të njëjtën gjë sezonin e kaluar, përkundrazi. Një ndeshje fantazmë ajo e fazës së parë, e vendosur nga pasardhësi i tij, Thuram.
Një ndeshje për t’u harruar edhe ajo e kthimit (e sezonit të kaluar), kur nën një rrebesh shiu u fiksua rezultati 2-4. Thuram ishte po aq vendimtar sa në ndeshjen e parë.
Këtë herë Lukaku shpreson se mund të shkojë ndryshe. Edhe Conte gjithashtu shpreson kështu, pasi synon të shfrytëzojë avantazhin e vërtetë sezonal për të mos luajtur në Kupat e Europës. Lobotka po i afrohet kthimit, por ende nuk mund të jetë i sigurt për të startuar.