Sot pritej të zhvillohej ndeshja në Ligën e Dytë të Kosovës mes Dardanisë dhe Ulpianës.
Megjithatë, ekipi nga Lipjani nuk ka udhëtuar fare për këtë përballje.
Kjo është konfirmuar nga vet klubi i Dardanisë përmes një njoftimi, ku ka thënë se e kanë fituar ndeshjen me rezultat zyrtar.
“Sot, ekipi ynë FC DARDANIA ishte i përgatitur për ndeshjen e radhës kundër KF Ulpiana.
Megjithatë, për arsye të panjohura, ekipi i KF ULPIANA nuk udhëtoi dhe ndeshja nuk u zhvillua. Pritet që loja të përfundojë me rezultat zyrtar në favorin tonë”, thuhet në njoftimin e klubit FC Dardania.
Kujtojmë se KF Ulpiana u përjashtua nga Liga e Parë sezonin e kaluar pasi FFK konfirmoi se ndeshja mes tyre dhe Vllaznisë ishte e kurdisur.