Barça është si makineri golash edhe në Europë

Futboll

Barça është si makineri golash edhe në Europë

Më: 8 nëntor 2024 Në ora: 15:22
Barcelona

Barcelona nuk mbretëron vetëm në La Liga. Skuadra e Flik po bën mjaft mirë edhe në Europë.

Katalanasit e nisën me humbje rrugëtimin e tyre në edicionin e ri të Champions.Në ndeshjen e parë,

Barça u mund në Monako 1-2, por më pas erdhën tri fitore radhazi me goleada. Me radhë Jang Bojs, Bajerni i Mynihut dhe Cërvena Zvezda u vënë “viktima” të makinerisë së golave të Barçës.

Dominimin dhe golat e panumërt në La Liga, Barça tashmë i ka transferuar edhe në Ligën e Kampionëve.

Në fund të ndeshjes së katërt në fazën e Ligës (grumbullim pikësh), ata mund të mburren se janë skuadra me më shumë “fuqi zjarri” nga 36 skuadrat pjesëmarrëse në këtë format të ri.

Ekipi i drejtuar nga Hansi Flik jeton një lidhje të vërtetë dashurie me golin. Deri më tani në katër ndeshje kanë shënuar 15 gola. Kjo do të thotë se ata kanë mesatarisht 3.75 gola për ndeshje kur mbeten edhe katër ndeshje për të luajtur në këtë fazë të parë. Pas Barcelonës vjen Dortmundi që ka forcën e dytë sulmuese në Europë me 13 gola të shënuar.

Dy skuadrat me forcën më të madhe sulmuese në Champions do të përballen mes tyre më 11 dhjetor. Këtë podium të veçantë të klubeve që shënojnë më shumë e mbyll momentalisht Bajerni i Mynihut, që numëron 11 gola të shënuar.

GOLEADAT – Barcelona e nisi me një humbje në Monako në Champions, duke ngjallur pikëpyetjet e para. Por fill pas asaj erdhi dhe reagimi i fuqishëm. Champions-i mbërriti në tetor në “Montjuiç”, me katalanasit që pritën Jang Bojsin fillimisht dhe Bajernin më pas. Kundër helvetëve erdhi një 5-0.

Ndaj Bajernit një tjetër fitore e madhe 4-1, falë tripletës së Rafinjës dhe një goli të ish-it Levandovski. Jo më larg se të mërkurën erdhi dhe pesëshja e radhës këtë herë në transfertë përballë Zvezdës, me Levandovskin që shënoi dy gola, mes të cilëve dhe të 700-in për Barcelonën në Europën e madhe.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat