Frenk Rajkard, ish-mesfushor i Milanit për pesë sezone (1988-1993) në të cilin ai bëri 201 paraqitje duke shënuar 26 gola (fitoi edhe 10 trofe), foli për Tizhani Reijnders, bashkatdhetarin e tij, që aktualisht luan për kuqezinjtë.Në vijim deklarata e tij: “Shpresoj që Reijnders të bëhet një nga mesfushorët më të mirë në botë, por sinqerisht besoj se ai tashmë është në rrugën e duhur.
Më pëlqen shumë mënyra e tij e lojës. Me kalimin e kohës po bëhet gjithnjë e më i rëndësishëm për Milanin.
Në mes të fushës ai mund të luajë të gjitha rolet dhe po tregon bujarinë e tij pasi kurrë nuk kursen një vrapim për ekipin dhe gjithmonë jep më të mirën. Me cilësinë që ka, është shumë i zoti në krijimin e aksioneve të rrezikshme për shokët e skuadrës dhe e udhëheq mirë manovrën”.
PROGRESI – Më pas Rajkard vazhdoi me analizën e tij duke u fokusuar te progresi i lojtarit, sidomos pas zbarkimit në Serinë A.
“Rritja e tij edhe në aspektin e shënimit konfirmon se Reijnders është një lojtar kyç për ekipin. Falë progresit të tij, Milani po bëhet gjithnjë e më i fortë. Dhe sa më i fortë të bëhet ekipi, aq më shumë shanse ka për të përjetuar momente fantastike me Milanin”, tha ish-trajneri për “La Gazzetta dello Sport”.
Si një ish i Barcelonës dhe Milanit, Rajkard e ka ndjekur me shumë interes dhe kënaqësi fitoren e ekipeve të tij të zemrës ndaj Realit në dy daljet e fundit madrilene. “Lojtarët e Milanit, Fonseka dhe stafi i tij meritojnë shumë komplimente për suksesin e arritur në Madrid. Fitorja ndaj Realit është një sukses që pak skuadra e kanë shijuar në vitet e fundit. Shpresoj që Milani të ketë kënaqësi të madhe këtë sezon”, përfundoi holandezi.