Ish-mbrojtësi i Milanit dhe i kombëtares holandeze, Jaap Stam, ka dhënë një intervistë për “Gazzetta dello Sport”, në të cilën ka folur për kuqezinjtë dhe gjithashtu luftën e “Scudettos”.
Ja fjalët e tij: “Milani po rritet dhe zhvillimi i projektit po ecën shumë mirë. Në Serie A nuk është ende në krye të tabelës, por do të kenë shansin për t’iu afruar pozicioneve të para. Kanë mbetur ende shumë ndeshje deri në fund, ndaj e shoh në garën për titull.
Edhe rivalët e tjerë do të lënë pikë gjatë rrugës”.
Rezultatet e luhatshme të “Djallit” nuk duhet të shqetësojnë, sipas holandezit:
“Nuk ka nevojë për t’u shqetësuar apo zhgënjyer. Ky ekip do të përmirësohet dhe do t’i tregojë të gjitha cilësitë e tij. Kur ndryshon trajner duhet të jesh i duruar, por Milani ka lojtarë të aftë për të bërë diferencën”.
Duke folur për individët, Stam mbrojti Leaon: “Në Madrid ishte vendimtar dhe konfirmoi se ka cilësi të jashtëzakonshme”. Për Reijnders ka vetëm “fjalë mjalti”: “Tijjani di të bëjë gjithçka. Ai është i mirë në gjuajtje, në mbajtjen e topit dhe në daljen nga presioni, por di edhe si të finalizojë.
Nuk po them se tashmë është një nga mesfushorët më të mirë në botë, por do të bëhet, sepse jam i bindur se ende nuk e kemi parë potencialin e tij të plotë. Milani ka të drejtë të kërkojë rinovimin e tij, sepse klubet më të mira në Premier League tashmë po e monitorojnë”.