Nata e frikshme e Amsterdamit

Futboll

Nata e frikshme e Amsterdamit

Më: 9 nëntor 2024 Në ora: 14:27
Foto ilustrim

Rreth mesnatës së së enjtes, Jesse Cohen dhe Yotam Asher po ktheheshin në hotel pas një dite shumë të tensionuar. Dy tifozëve të Maccabi-t nuk u interesonte më fare humbja e thellë ndaj Ajax-it. Ata thjesht donin të ktheheshin të sigurt në hotel: që në orët e para të pasdites, Amsterdami ishte pushtuar nga përleshje dhe sulme nga huliganë me kapuç, të cilët godisnin izraelitët si ata, në këmbë dhe me skuter.

Ndërsa po kalonin Stadhouderskade, një nga unazat që rrethojnë qendrën historike, një Mercedes i errët u bllokoi rrugën. Kur u hapën dyert, Cohen dhe Asher dëgjuan të shpërthejë muzikë arabe. Të dy u larguan, thirrën një taksist i cili i ofendoi, por arritën të strehohen në hollin e hotelit të tyre. Dhe Mercedesi i ndoqi pas, edhe atje.
Drama e Cohen dhe Asher është një lajm nga një “natë e zezë”, siç e përkufizoi kryebashkiakia e Amsterdamit, Femke Halsema. Arratia e tyre dramatike u raportua dje nga Volksrant. Në prag të 9 nëntorit, përvjetorit të errët të masakrës së Hitlerit kundër hebrenjve, Amsterdami u zgjua në një makth. Kryeministri izraelit, Benjamin Netanyahu, e kujtoi atë natë të 86 viteve më parë, “kur hebrenjtë në Evropë u sulmuan sepse ishin hebrenj. Tani ka ndodhur përsëri”.

Në vendin e Erasmusit, në qytetin simbol të tolerancës fetare, i cili madje mban një pseudonim në gjuhën Jidish, “Mokum”, skajet më ekstreme të tifozëve izraelitë dhe fraksioneve pro-palestineze luftuan në rrugët e qendrës dhe në zonën rreth stadiumit që mban emrin e Johan Cruijffit, që në orët e para të pasdites. Dhe 1210 policët e mobilizuar për këtë rast nuk mundën të shmangnin dhunën.

Tifozët e Ajax-it, të cilët kanë qenë gjithmonë solidarë me Izraelin, nuk kishin asnjë lidhje me luftën guerile që shpërtheu në qytetin e Ana Frankut. Dhe ekseset më të paprecedenta, shpesh prita, siç u rindërtuan më vonë nga hetuesit, ishin padyshim ato që pësuan izraelitët.

Pasditen e djeshme, në qendër, prova e vetme e trazirave të së enjtes mbetën furgonat dhe motoçikletat e policisë të parkuara ende përpara Pallatit Mbretëror. Në këndin përballë, menaxheri i Europub-it, Jole, thotë se e mbylli më herët se zakonisht, në mesnatë. Që nga ora tre e pasdites së të enjtes, disa orë para ndeshjes Maccabi-Ajax, qendra e Amstrdamit dhe rrugët përreth saj ishin kthyer në një nga teatrot kryesore të ekseseve të tifozëve izraelitë. Disa foto i tregojnë ata duke u ngjitur në fasadat e rrugës Rokin, duke hedhur dhe vënë flakën flamujve palestinezë. Në një video tjetër ata bërtasin “vdekje arabëve” dhe disa dëshmitarë pohojnë, duke shkuar në stadium, se i kanë dëgjuar duke kënduar “spitalet në Gaza nuk janë më sepse nuk ka më fëmijë”.

Gjatë ndeshjes, disa ultras izraelitë thyen minutën e heshtjes për viktimat e përmbytjes në Valencia me raketa dhe bomba tymuese.

Por dëshmitë mbizotëruese flasin për ndjekje të furishme dhe dhunë ndaj izraelitëve, një gjueti ndaj hebreut që nisi në kanalet e qendrës në të njëjtat orë, por veçanërisht pas ndeshjes. Videot e postuara shpesh nga vetë sulmuesit, të cilët flasin në arabisht, por kombësia e të cilëve nuk u zbulua nga policia, tregojnë tifozët duke u goditur me grushta dhe shtyrë ndërsa bërtisnin “duhet të thuash ‘Palestinë e lirë'”, duke i shkelmuar përtokë dhe shoqëruar me thirrjet “kjo është për fëmijët në Gaza”.

Një grup taksistësh ndjekin disa izraelitë në një kazino në Max Euweplein. Njëri përfundon në kanal dhe detyrohet të thërrasë “Liri Palestinës”.

Nga lajmet, fillimisht konfuze, pastaj më të qarta, del se ishin përgatitur shumë sulme: ishin vendosur prita të vërteta për tifozët e Maccabit. Thirrja për akte terrori tashmë qarkullonte para ndeshjes në kanalet Snapchat dhe madje edhe në bisedat Telegram të shoferëve të taksive dhe Uber: “Këtu nuk ka Gaza, ky është Amsterdami, sot do të të shk… ty dhe familjen tënde”. Dhe thirrjet janë për të përgjuar izraelitët, pas ndeshjes, në metro, në stacion, rreth qendrës, kudo.

Edhe duke u vendosur atyre kurthe: “Të varim flamujt palestinezë, do të vijnë si minjtë”. Pak metra nga shtëpia ku ishte fshehur Ana Frank, ftesa është për të “përzënë sionistët” dhe për “çlirimin e Palestinës”. Një person i panjohur poston një foto të një kampi përqendrimi: “Kjo do të jetë ndalesa juaj e fundit”. Dhe të mendosh se busti i vajzës së vogël me ditarin më prekës të persekutimit nazist, e dëbuar dhe e vrarë në Aushvic, ishte përdhosur tashmë këtë verë: dikush e kishte lagur me fjalët “Gaza”.

Urrejtje u shfaq edhe në procesionin e paautorizuar të së enjtes drejt stadiumit: kryebashkiakia e ndaloi atë si masë paraprake, demonstruesit pro-palestinezë u larguan një kilometër më tutje, duke shfryrë urrejtjen e tyre përmes Anton de Komplein. Dhe shumë më në veri, ata u mblodhën në stacionin qendror për të organizuar prita ndaj izraelitëve që dilnin nga metroja.

Në Dam, njëzet e nëntë vjeçari Yoni Itzchakian u sulmua nga një grup teksa ecte me babanë dhe vëllain e tij përgjatë sheshit. Babai u shkelmua. “Nuk jam ndjerë kurrë kaq i frikësuar”, tha Yoni për mediat holandeze. “As më 7 tetor nuk ndjeva atë që ndjeva dje”.

Shifrat për momentin janë 62 të arrestuar dhe dhjetëra të plagosur, 5 prej të cilëve të shtruar në spital. Dje qindra fansa u kthyen në Izrael edhe me dy avionë specialë të dërguar nga Netanyahu, i cili dërgoi në Holandë edhe ministrin e ri të Jashtëm, Gideon Saar, për një “vizitë diplomatike urgjente”. Kryeministri holandez Dick Schoof mund të fliste vetëm për “turp” nga incidentet. / bota.al

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat