Fitore minimale (1:0), por me shumë peshë doli të jetë e sotmja ndaj Rabotniçkit, kjo për shkak se Struga Trim Lum, përveç që vazhdoi serinë e fitoreve, arriti të afrohet dukshëm me skuadrat kryesuese….
Fitorja e tretë e njëpasnjëshme në kampionat, ka lënë të kënaqur edhe trajnerin, Qatip Osmani, për më tepër që kjo fitore erdhi ndaj liderit të deritanishëm, Rabotniçkit.
Me këtë fitore, skuadra përveç që vazhdoi serinë e fitoreve, arriti të mbaj hapin me skuadrat kryesuese, duke ngushtuar kështu në vetëm dy pikë diferencën me treshen udhëheqëse.
“Na duhej kjo fitore për të mbajtur kontinuitetin e fitoreve, por mbi të gjitha edhe hapin për kreun e tabelës së klasifikimit.
Ndoshta edhe ngarkesa për të fituar ndeshjen e bëri të veten, pasi bëmë disa gabime në vendosje, por herë pas here edhe në pasime, mirëpo me rëndësi është që skuadra nuk pësoi gol dhe mbi të gjitha në fund morrëm tre pikët që kërkonim.” – u shpreh fillimisht trajneri Qatip Osmani.
Siç dihet, tashmë pason pauzë dy javore në kampionat, kjo për shkak ndeshjeve të nëntorit të përfaqësueses futbollistike të Maqedonisë në kuadër të Ligës së Kombeve. Për trajnerin Osmani, kjo pauzë ndoshta nuk është e mirëseardhur për skuadrën tonë, pasi veçmë kishim kapur një ritëm të fitoreve.