Conte: Zikaltërit më të fortë, por nuk shkojmë të dorëzuar…

Futboll

Conte: Zikaltërit më të fortë, por nuk shkojmë të dorëzuar…

Më: 10 nëntor 2024 Në ora: 12:58
Antonio Conte

Inter-Napoli nuk do të jetë thjesht një sfidë për titullin kampion në Itali, por një takim mes të tashmes dhe së shkuarës për Antonio Conten.

Pasi riktheu titullin në Milano në vitin 2021, trajneri do të rikthehet për herë të parë në “San Siro” si rival me objektivin për të mbajtur kreun e Serisë A.

“Sigurisht që ka një efekt ndryshe kjo ndeshje për mua sepse rikthehem të luaj aty ku kam punuar shumë. Do të jem i karikuar nga emocionet sepse kur rikthehesh pas në kohë kujton shumë situata dhe episode. Kam kaluar 2 vite të lumtura. Në vitin e parë arritëm në vendin e dytë dhe humbëm finalen e Ligës së Europës.

Në vitin e dytë fituam titullin kampion. Ishte një eksperiencë shumë e bukur që e mbaj me vete gjithmonë, ashtu si të gjitha eksperiencat e kaluara sepse unë i jetoj në maksimum”, tha fillimisht Konte.

ELOZHET- Ai më tej tha fjalët më të mira për skuadrën zikaltër duke e konsideruar si më të fortën në Itali. “Do të luajmë përballë një ekipi që sot për sot është më i forti. I duhen dhënë meritat për mënyrën se si kanë punuar për të qenë në një pozicion më të lartë në krahasim me ekipet e tjera. Kanë bërë një punë të jashtëzakonshme dhe janë rritur të gjithë, drejtuesit, trajneri dhe lojtarët. Megjithatë, ne nuk do të shkojmë në ‘San Siro’ për të ngritur flamurin e bardhë dhe për të qenë të dorëzuar. Kemi shanset dhe mundësitë tona. Objektivi është që të qëndrojmë në krye të klasifikimit”, sqaroi numri një i napolitanëve.

Conte është ndalur gjithashtu edhe tek pyetjet mbi Lobotkën dhe Lukakun. “Mendoj që rritja e Lukakut varet nga ajo e skuadrës. Individët nuk mund të spostojnë ekuilibrat, pavarësisht se ata duhet të ekzaltohen.

Lojtarët e mi duan që të rriten gjithmonë. Lobotka ka nisur stërvitjet në mesjavë me ne. Është mirë dhe i rikuperuar. Të shohim nëse do të luajë nga minuta e parë”, sqaroi Konte.

Trajneri i Napolit foli edhe për fjalët e presidentit De Laurentis, që në rrjetet sociale ka mohuar që ekipi mund të fitojë titullin kampion.

Sipas tij, është ende herët. “Unë nuk i komentoj fjalët e presidentit. Jam këtu për të bërë detyrën time si trajner dhe të stërvis skuadrën për të marrë rezultatet pozitive”, përfundoi Conte.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat