Nëse ndeshja Inter - Napoli që do të luhet ditën e nesërme do të ishte një telenovelë, titulli më perfekt është: Dashuri dhe urrejtje.
Sfida që do të tregojë shumë për vazhdimësinë e kampionatit italian mes kryesuesve të Antonio Kontes dhe kampionëve në fuqi të Simone Inzagit luhet edhe për hakmarrje nga disa personazhe. Interi kërkon që të parakalojë Napolin për të dhënë një mesazh të qartë për të tjerët, se është skuadra më e fortë në Itali, pavarësisht nisjes aspak pozitive të këtij sezoni. Në anën tjetër, Conte shpreson të mos e humbasë kreun dhe të vazhdojë ëndrrën e tij.
Dhe le ta nisim pikërisht nga trajneri i Napolit. Ai që në fakt hodhi bazat e këtij Interi fitues dhe ndryshoi mentalitetin. Në 2 sezone ia doli që të rriste shumë lojtarë, të krijonte identitetin e formacionit 3-5- 2 dhe të fitonte titullin kampion pas shumë vitesh. Konte që më parë sesa të vishte kostumin zikaltër ishte i urryer prej të shkuarës juventine ia doli që të rrëmbente edhe zemrat e tifozëve të Interit. Ia doli që të shkonte edhe në finalen e Ligës së Europës, por humbi ndaj Sevijes. Pasi fitoi titullin kampion, Konte u largua papritur sepse drejtuesit do të largonin Lukakun dhe Hakimin. Konte nuk përballet me Interin që nga sezoni 2014.
LUKAKU- “Big Rom” do të rikthehet sërish në Milano si rival. Në qytetin që e priti si mbret dhe ai i tradhtoi. Me fanellën zikaltër në dy vitet me Antonio Konten u shndërrua në një kampion të madh dhe një prej sulmuesve më të fortë në botë.
Fitoi titullin kampion dhe më pas u rikthye sërish te Çelsi. Aty dështoi dhe zikaltrit bënë gjithçka për ta marrë sërish. Rikthimi nuk ishte më i njëjti. Lukaku nuk ishte titullari i Inzagit, por Edin Xheko. Raporti mes sulmuesit belg dhe Simones kurrë nuk ishte i shkëlqyer, por thjesht respekt për punën. Në atë sezon të vështirë, kur Interi po përgatiste sërish rikthimin e tij nga huazimi te Çelsi, Lukaku zhduket. Futet në bisedime me Juven dhe nuk iu hap telefonin shokëve të skuadrës. Kur u rikthye me Romën jetoi një nga mbrëmjet më të errëta të jetës, në aspektin sportiv.
LAUTARO- Një prej atyre që u zhgënjye më së shumti ishte Lautaro Martinez. Aktualisht kapiteni i Interit ndërtoi një raport të shkëlqyer me Lukakun si brenda dhe jashtë fushës së lojës. Tani nuk ka më dashuri mes tyre, por urrejtje. Lautaro ia ka dalë të mbijetojë edhe pa të, madje një vit më vonë u bë lider dhe golashënues në vitin e titullit kampion. Ka gjetur një partner tjetër si Turam, me të cilin kuptohet me sy mbyllur. Por Lautaro ka hesape për të larë edhe me Antonio Konten.
kohës kur ishin tek Interi kanë pasur një episod aspak të këndshëm. Lautaro i zemëruar pas zëvendësimit goditi një shishe dhe trajneri nisi ta ofendonte: T’i duhet të merresh me shuplaka. Je një fenomen m…! Një ditë më vonë u pajtuan, por episodi ngeli.
INZAGI- Ndërkohë që mes Antonio Kontes dhe Simone Inzagit ekziston një raport korrekt dhe respekti. Ish-trajneri i Lacios u kontaktua menjëherë nga Interi për të pasuar Antonion sepse ishte nga ata që vazhdon të njëjtën filozofi dhe luan me të njëjtën skemë (3-5-2). Simone e ka përsosur këtë modul, duke prodhuar futboll sulmues dhe dominues. Pavarësisht ndeshjeve të fundit, ajo që bëri sezonin e kaluar ishte e jashtëzakonshme.