Maqedonia e Veriut U21 i filloi përgatitjet për ndeshjet kontrolluese me Kosovën

Futboll

Maqedonia e Veriut U21 i filloi përgatitjet për ndeshjet kontrolluese me Kosovën

Më: 12 nëntor 2024 Në ora: 11:58
Maqedonia e Veriut U21

Maqedonia U21 është grumbulluar në hotelin “Park” në Shkup për dy ndeshjet kontrolluese me përfaqësuesen e Kosovës.

Ndeshjet kontrolluese do të luhen në qendrën stërvitore “Petar Milloshevski” në Shkup, më 14 nëntor me fillim nga ora 13:00 dhe 17 nëntor në ora 12:00.

Mesfushori i Maqedonisë U21, Matej Angelov, ka dhënë mendimin tij për gjeneratën e re të futbollistëve të rinj, si dhe për ndeshjet e ardhshme me Kosovën.

– Për këto ndeshje kontrolluese jemi thirrur një numër më të madh futbollistësh. Në duelet me Kosovën do të duhet të tregojmë cilësinë tonë dhe të justifikojmë besimin e trajnerit. Mendoj se ky brez i ri ka cilësi dhe potencial për të arritur rezultate pozitive. Disa futbollistë, mes tyre edhe unë, patën mundësinë të jenë pjesë e gjeneratës së mëparshme dhe kjo ishte një përvojë e madhe dhe e vlefshme për ne, që besoj se do të ndikojë pozitivisht.

– Dy ndeshjet kontrolluese me Kosovën do të na shërbejnë sa më mirë për t’u përgatitur dhe luajtur për sfidat e ardhshme që na presin në ciklin e ardhshëm eliminator. Si futbollistë, vihemi në dispozicion të trajnerit dhe ekipit profesionist sa më shumë, jemi të gatshëm t’i përgjigjemi pozitivisht asaj që na kërkohet në fushë. Ne duam të bëjmë maksimumin në ndeshjet e ardhshme me Kosovën, për të konfirmuar cilësinë tonë.

– Nga brezi i ri mund të presim një shpirt konkurrues dhe një dëshirë për ta dëshmuar këtë. Duam të tregojmë luftë të madhe, dëshirë dhe motivim në çdo ndeshje, pavarësisht kundërshtarit, vetëm kështu duhet të përfaqësohet fanella e ekipit përfaqësues.

Përfaqësuesja e Maqedonisë e drejtuar nga Dragi Kanatlarovski sot nga ora 17:30 do të nisë zyrtarisht përgatitjet për duelet kontrolluese me Kosovën.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat