Drejtori i Komunikimit në FSHF, Fatjon Kodra,ka folur për dy ndeshjet e Kombëtares shqiptare në Ligën e Kombeve.
Sipas tij, Elseid Hysaj, nuk ka qenë në pushim absolut dhe stafi i Shqipërisë, ka shumë besim tek ai. Kodra theksoi se situata e Etrit Berishës është ndryshe nga ajo e mbrojtësit, pasi portieri nuk luan prej një viti.
“Hysaj nuk është pa klub. Është lojtar i Lazios. Nuk ka qenë në pushim absolut. Nuk po aktivizohet aktualisht, por stërvitet rregullisht. Ka mbi 80 ndeshje me Kombëtaren dhe është lojtar me eksperiencë.
Një lojtar tek i cili stafi dhe trajneri kanë shumë besim. Etrit Berisha, ka thuajse një vit që nuk luan në klub. Situata e Berishës është më e zgjatur. Berisha ka gati një vit që nuk luan në asnjë klub. Ashtu si Hysaj, edhe ai ka shumë kontribut në Kombëtare”, tha ai.
Kodra deklaroi se interesi për bileta ka qenë shumë i lartë, por shtoi se i bëjnë përshtypje luhatjet, ku njërherë Kombëtarja ngrihet në qiell, pastaj ka kritika.
“Biletat janë nxjerrë që një muaj më parë dhe pa pasur interes shumë të madh.
E njëjta situatë si në kualifikuese, ku ishte “makth” në këtë sens. Pas ndeshjes me Gjeorgjinë, mbaruan të gjithë biletat me Çekinë. Edhe ndaj Ukrainës janë thuajse të shitura. Ka shumë kërkesa.
Tifozët kanë shumë dëshirë të vijnë të shikojnë kombëtaren.
Më bën përshtypje kjo luhatja. Një vit më parë Shqipëria u kualifikua si e vendit të parë.
Në Ligën e Kombeve jemi në lojë për vendin e parë, shikoj një luhatje të tmerrshme, një moment të ngrenë në qiell, pastaj kritikat janë të mëdha”, deklaroi Kodra.