Kombëtarja e Kosovës po i vazhdon përgatitjet për ndeshjen me Rumaninë, e cila do të jetë edhe përcaktuese për vendin e parë në Grupin 2 të Ligës C në Ligën e Kombeve.
Qendërmbrojtësi kosovar, Ilir Krasniqi thotë se motivi tek Dardanët është i lartë, ndërsa shton se ai me shokë do të mundohen ta vazhdojnë serinë pozitive prej tri fitoresh radhazi.
Ish-futbollisti i Llapit, tash pjesë e ekipit ukrainas Kolos Kovalivka, është i vetëdijshëm se Kosova do ta ketë përballë një kundërshtar të vështirë, por që pret që ekipi i Franco Fodës të dalë mirë nga kjo përballje.
“Atmosfera është fantastike, djemtë janë të motivuar për lojën e ardhshme që e kemi. E dimë se është një lojë mjaft e rëndësishme dhe secili djalë që është këtu po e bën maksimumin për t’u përgatitur sa më mirë dhe shpresojmë që do të kemi rezultat pozitiv.”
“Këto rezultate pozitive janë edhe për shkak të atmosferës së mirë që është në ekip dhe besoj se lojtarët janë gjithashtu të motivuar për të luajtur dhe pasi i kemi tri fitore në tri ndeshje, besoj se do ta vazhdojmë këtë seri.
E dimë që është një kundërshtar mjaft i vështirë sepse është në pozitën e parë, por mendoj që me grupin që e kemi do të bëjmë mjaft mirë.”
Kosova dhe Rumania do të luajnë të premten mbrëma në Bukuresht duke filluar nga ora 20:45 për t’u përcaktuar pozita e parë në tabelë.
Aktualisht, Rumania i ka tri pikë më shumë dhe një kapital prej tre golash, prandaj Kosovës i nevojitet të fitojë me më shumë se tre gola nëse dëshiron ta marrë primatin në grup.