Arne Slot ka bërë një nisje të jashtëzakonshme të jetës në Liverpul. Kishte dyshime se si do të shkonte skuadra me të në stol kur ai të merrte drejtimin nga Jyrgen Klop në “Anfield”
.Por, ish-trajneri i Fejnordit i ka sheshuar dyshimet pas një fillimi mahnitës të karrierës në Angli, që e sheh Liverpulin në krye të tabelës në pushimin e fundit ndërkombëtar të vitit. Golat nga Darvin Nunjez dhe Mohamed Salah vulosën një fitore 2-0 për “Reds”-at ndaj Aston Vilës, duke e thelluar diferencën e tyre në krye të tabelës në pesë pikë, pasi Mançester Siti u mposht nga Brajtoni.
Ata janë gjithashtu skuadra e vetme me një rekord 100 për qind fitoresh në Ligën e Kampioneve, me katër suksese nga katër ndeshje. Skuadra e Slotit është gjithashtu ende në kërkim të trofeut të parë të parë sezonal, Kupën Karabao dhe do të përballet me Sauthempton në çerekfinale muajin e ardhshëm. Dhe ky fillim i fortë ka bërë që Slot të shkruajë histori si menaxheri që ka bërë startin më të mirë nga çdo trajner në epokën e Premier Ligës.
Me fitoren e fundit ndaj Aston Vilës, Slot tani ka fituar 15 nga 17 ndeshjet e tij të para në krye të skuadrës në të gjitha kompeticionet, më shumë nga çdo trajner në epokën e Premier Ligës.
Kjo e bëri atë të eklipsojë ish-trajnerët e Çelsit, Karlo Ançeloti dhe Zhoze Murinjo, të cilët të dy arritën nga 14 fitore në 17 ndeshjet e tyre të para. Ishtrajnerët e Bluve, Antonio Konte dhe Mauricio Sarri janë të radhës në listë, me 13 fitore secili, ndërsa Xhon Gregori gjithashtu regjistroi 13 fitore pasi u katapultua tek Aston Vila në fillim të vitit 1998. Më pas, gjashtë trajnerë arritën 12 fitore nga 17 ndeshjet e tyre të para, katër prej të cilëve ishin trajnerë të Çelsit. Ata janë Luiz Felipe Skolari, Gus Hidink, Avram Grant dhe trajneri i ri i Anglisë, Tomas Tuhel.
Ndërkohë, i ndjeri Sven Goran Erikson arriti në këtë shifër fitoresh si trajner i Mançester Sitit, ndërsa Unai Emeri e regjistroi në stolin e Arsenalit. Tifozët mund të çuditen kur e shohin Guardiolën jashtë kësaj liste. Por 17 ndeshjet e tij të para te Mançester Siti prodhuan 11 fitore në të gjitha kompeticionet, me një start prej dhjetë fitoresh radhazi, por që i lanë vendin një serie prej gjashtë ndeshjesh pa fitore përpara, se të arrinte të 11-tën. Ndërkohë, trajneri legjendar i “Topçinjve”, Arsen Venger, fitoi vetëm shtatë nga 17 ndeshjet e tij të para në krye të skuadrës së Londrës Veriore, pasi mori drejtimin në 1996.
Trajneri më i suksesshëm i Premier Ligës, Sër Aleks Ferguson, gjithashtu fitoi vetëm shtatë nga 17 ndeshjet e tij të para me Mançester Junajtidin. Ky rekord ishte edhe më i keq kur nisi epoka e Premier Ligës në 1992, me “Djajtë” që regjistruan vetëm gjashtë fitore nga 17 ndeshjet e para të atij sezoni. Duke parë Liverpulin, 17 ndeshjet e para të Klopit në krye të klubit, e panë atë të fitonte nëntë ndeshje, gjë që tregon se sa larg kanë arritur dhe punën e mahnitshme që kanë bërë për ndërtimin e një skuadre aq të fortë.
Pavarësisht se mund të jetë fillimi i sezonit, Slot pa dyshim do të jetë i vetëdijshëm se çfarë do të thotë fitimi i titullit këtë sezon, duke pasur parasysh se Liverpuli mund të barazojë numrin rekord të 20 titujve kampion që mbajnë rivalët e Mançester Junajtidit.