Rumania - Kosova do të luajnë të premten mbrëma

Futboll

Rumania - Kosova do të luajnë të premten mbrëma

Më: 12 nëntor 2024 Në ora: 14:50
Zymer Bytyqi

Kombëtarja e Kosovës po i vazhdon përgatitjet për ndeshjen me Rumaninë, e cila do të jetë edhe përcaktuese për vendin e parë në Grupin 2 të Ligës C në Ligën e Kombeve.

Dardanët kanë ushtruar sot në Kampin Nacional në Hajvali, ndërsa dje i nisën përgatitjet në stadiumin “Fadil Vokrri” në Prishtinë.

Futbollisti ofanziv, Zymer Bytyqi thotë se motivi tek Dardanët është i lartë, ndërsa shton se ai me shokë do të mundohen ta vazhdojnë serinë pozitive prej tri fitoresh radhazi.

Ai gëzohet që u rikthye tek Kosova dhe është i gatshëm ta japë kontributin e tij nëse i jepet rasti.

Futbollisti i CSKA Sofjes uron që Verdhekaltrit ta regjistrojnë një fitore që do t’ju ndihmojë që ta marrin primatin në grup.

“Jam shumë i lumtur dhe shumë i kënaqur që më kanë thirr përsëri, e kam ndier njëfarë mërzie (malli) për me qenë këtu me djemtë tanë dhe për të luajtur për Kombëtaren tonë. Tash jam këtu dhe jam shumë i kënaqur.”

“Ta them të drejtën, është si një fillim i ri, ka plot lojtarë të rinj që kanë ardhur dhe që do të gëzohem që t’i njoftoj.”

“Rëndësia është shumë e madhe për këtë lojë, besoj se do ta japim maksimumin tonë. Shpresoj që do ta kemi një rezultat të mirë që na ndihmon ta fitojmë këtë grup.”

Kosova dhe Rumania do të luajnë të premten mbrëma në Bukuresht duke filluar nga ora 20:45 për t’u përcaktuar pozita e parë në tabelë.

Aktualisht, Rumania i ka tri pikë më shumë dhe një kapital prej tre golash, prandaj Kosovës i nevojitet të fitojë me më shumë se tre gola nëse dëshiron ta marrë primatin në grup.

Më pas, të hënën që vjen Edon Zhegrova me shokë do të kenë punë me Lituaninë në stadiumin “Fadil Vokrri”, kur edhe do ta mbyllin këtë kampanjë.

Kosova do t’ju hyjë ndeshjeve të nëntorit me pesë mungesa: Milot Rashica, Bersant Celina, Ermal Krasniqi, Leart Paqarada e Emir Sahiti.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat